Lajme

Ish-ministrja Haradinaj-Stublla në Ukrainë, konsiderohet e tërhequr padia për shpifje dhe obligohet t’ia paguajë 510 euro të paditurës

04/04/2024 13:04
nga:N K

Në mungesë të paditëses Meliza Haradinaj-Stublla, Gjykata Themelore në Gjakovë ka konsideruar të tërhequr padinë e ushtruar nga e njëjta ndaj të paditurës Florentina Gjergjaj për shpifje, dhe ka obliguar atë që në emër të shpenzimeve procedurale, t’ia paguajë të paditurës Gjergjaj, shumën prej 510 euro.

Gjykatësja Fëllanza Knushaj ka bërë të ditur në fillim të seancës se paditësja është ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e sotme, por e njëjta nuk e ka arsyetuar mosprezencën raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në emailin zyrtar të kësaj gjykate më datë 3 prill 2024 ka ardhur një kërkesë për shtyrje të seancës së sotme nga Vjosa Shkodra e cila ka njoftuar gjykatën që paditësja është jashtë vendit, në Ukrainë, dhe nuk mund të prezanton në seancën e sotme dhe po ashtu nuk ka arritur të nënshkruaj autorizimin për përfaqësim, duke i’a bashkëngjitur kështu kësaj kërkese një email ku paditësja të ketë komunikuar me parashtruesen e kësaj kërkese”, tha gjyqtarja Knushaj.

Megjithatë, gjykata vlerësoi se një kërkesë e tillë është bërë nga personi i paautorizuar dhe të njëjtën nuk e trajtoi fare.

Pas kësaj, përfaqësuesi i të paditurës Gjergjaj, Meshari Selimaj, konsideroi se janë plotësuar kushtet që padia e parashtruar nga ana e paditëses të cilësohet e tërhequr dhe kërkoi që e njëjta të ngarkohet edhe me shpenzimet procedurale.

Ndryshe, në seancën e 2 dhjetorit 2023, paditëses, Meliza Haradinaj i është kthyer nga Gjykata Themelore e Gjakovës në plotësim propozimi për zgjerim të padisë kundrejt gazetës “Metro”, që në afat prej tre ditësh ta gjej adresën e saktë të palës ndaj të cilës e njëjta ka bërë propozimin për të vepruar më tutje në këtë çështje juridike-kontestimore.

Në padi thuhet se e paditura Florentina Gjergjaj ka bërë shpifje dhe me deklaratën e publikuar në portalin “Metro” më 4 mars 2021, duke cituar fjalët “fakti se kandidatja Meliza Haradinaj-Stublla është ministër në detyrë dhe ndikimi i saj tek personat përgjegjës është i mundshëm dhe real tek…”

Sipas kësaj padie, e paditura në fjalë, ka vendos ta deponojë ankesën në “Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) më 4 mars 2021 në orën 19:05, pastaj e njëjta është publikuar nga portali “Metro” në orën 20:32 të të njëjtës ditë.

Në padi thuhet se, publikimi i plotë portalin “Metro” i dokumentit të ankesës të deponuar në PZAP të njëjtës i ka shkaktuar dëmtim të reputacionit publik e profesional me pretendimet e saj shpifëse.

Sipas padisë, e paditura me qëllim të dëmtimit të paditëses ka anashkaluar faktin se duke mos e konsideruar që në mënyrë të tërthortë e ka dëmtuar edhe shtetin e Kosovës.

Në padi kërkohet që e paditura të detyrohet të kërkojë falje ndaj paditëses për shpifjen e bërë ndaj saj si dhe të kompensojë dëmin material dhe jomaterial.