Lajme

Ish-ministri Selimi mirëpret marrëveshjen e Kosovës me Danimarkën për burgjet

12/16/2021 17:30
nga:Q R

Ish-ministri i drejtësisë, Selim Selimi, ka mbështetur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për huazimin e rreth 300 çelive, raporton Paparaci.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se kjo marrëveshje është historike për Kosovën dhe se dëshmon se Kosova është lidere në shërbimet korrektuese në rajon.

“Unë mbështes punën e Albulena Haxhiut, në arritjen e marrëveshjes me Ministrin danez të Drejtësisë Nick Hækkerup për Shërbimet Korrektuese. Ky është një moment historik i madh në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Danimarkës. Ky proces dëshmon se Kosova është lidere në shërbimet korrektuese në rajon”, shkruan ai.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë sot përmes një komunikate për media ka dhënë detaje lidhur me marrëveshjen për të burgosurit, teksa thuhet se të burgosurit do të vendosen në Qendrën Korrektuese në Gjilan.

“Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishm”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi.

“Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të dënuarve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh”.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup kishte deklaruar se kapaciteti i burgjeve në Danimarkë duhet të rritet në mënyrë që t’u bëhet vendi rreth 1 mijë të burgosurve, sipas tij në këtë aspekt Kosova do të ndihmojë duke i dhënë me qira 300 qeli burgu. Ministri danez ndër të tjera kishte deklaruar se të burgosurit vijnë nga shtetet e botës së tretë.

Lumir Abdixhiku mbledh Kryesinë e partisë: Pritet të vendoset për Prishtinën e Prizrenin