Sporti

Ish-ministri saudit: Veç Ronaldo e arsyeton pagën marramendëse

11/28/2025 09:43
nga:Mergim Rreci

Ish-ministri i Sportit në Arabinë Saudite, Princi Abdullah bin Mosaad, ka deklaruar se Cristiano Ronaldo është i vetmi lojtar i huaj në Ligën Profesionale Saudite që e meriton pagën e tij të lartë.

Sipas tij, portugezi që luan për Al Nassr që nga dhjetori 2022, ka arritur të bëjë ekspozim global dhe ndikim real në futbollin saudit.

Në një intervistë për “Fi Al-Marama” në Al-Arabiya, Princi Abdullah ka thënë se numri i madh i lojtarëve të huaj po i lë futbollistët vendas në hije dhe mund të rrezikojë të ardhmen e Kombëtares saudite, sidomos me Kupën e Botës 2034 që do të zhvillohet në këtë vend.

“Ronaldo është i vetmi lojtar i huaj që vlen pagën e tij, sepse i jep ligës dhe vendit një vëmendje të jashtëzakonshme”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se shumë lojtarë të tjerë paguhen më shumë sesa meritojnë dhe kërkoi uljen e numrit të të huajve në ndeshje nga tetë në shtatë, si dhe më shumë investime në të rinjtë.

“Sot, ndërtimi i një lige të fortë po bëhet në kurriz të ekipit kombëtar. Duhet një plan i qartë për të ardhmen”, ka theksuar Princi Abdullah.

Ai po ashtu ka kërkuar trajnerë elitarë për grupmoshat e reja dhe ka propozuar që ndeshjet e mëdha të luhen të enjten, në mënyrë që gjyqtarë të njohur evropianë të kenë mundësi të drejtojnë takimet.

Paga e yllit portugez vlerësohet rreth 211 milionë dollarë në vit.