Lajme

Ish-ministri Krasniqi: Ministria e Tregtisë me plotë skandale, Prokuroria të merr masa

04/14/2022 19:55
nga:Astrit Gashi

Qeveria e Kosovës dje ka miratuar propozim-vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksporteve të produkteve themelore agro-ushqimore.

Sipas ministres së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ky vendim synon të sigurojë furnizimin e qytetarëve me produkte bazë si, gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri.

Por ky vendim sipas ish-ministrit të kësaj ministrije, Vesel Krasniqi është vendim koti, pasi sipas tij, në Kosovë nuk ka prodhues të kripës e produkteve tjera në nivel të eksportit.

“Në kohen time nuk ka pasur biznese që ka prodhuar apo është marr me përpunimin e kripës, kur është fjala të kripërat mu po më doket që është një vendim abstrakt pasi që Kosova nuk prodhon kripëra edhe nuk ka çka me ndalu, ndërsa të sheqeri janë disa biznese të vogla, por për mua ky vendim është abstrakt të ndalohet eksporti nëse ka, pasi që nuk ka kapacitete për furnizimin e Kosovës duke filluar nga gruri edhe për grurë ne nuk jemi për eksport andaj mendoj se ky vendim është koti pasi që ne nuk eksportojmë, më shumë është një vendim koti”, tha Krasniqi.

Ish-ministri i Tregtisë foli edhe për punën që ka bërë deri më tani Ministrja Hajdari.

Ai tha se përveç nepotizmit asgjë tjetër nuk e karakterizon punën e ministres.

“Të them të drejtën shumë pak ka aktivitete zhvillime skandalet që po ndodhin në ministri të Tregtisë unë mendoj se Prokuroria apo Kryeministri do të duhet të merrte masa, për faktin se përveç nepotizmit për të cilat kanë çuar dosje të prokuroria janë duke vepruar vetë me fakte me argumente me nepotizëm, të projektet nuk ka asnjë ndryshim”.

Skandal tjetër të Ministres Hajdari, ish-ministri Krasniqi e quajti edhe lejimin e importit të materialit ndërtimor nga Serbia, pasi që siç tha ai Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën i ka ndaluar këto produkte që të hyjnë në Kosovë.

“Ne i kemi pasur disa vendime, ndalimin e produkteve ndërtimore që vinë prej Serbisë të cilin e ka heq ministria dhe ju ka dhënë hapësirë produkteve të Serbisë të vinë në Kosovë. Ne e dimë qe Vetëvendosja i ka rrëzuar kamionët që ka ardhë prej Serbisë dhe të njëjtit i hapin rrugë produkteve serbe, ky është një skandal i asaj që kanë thënë në të kaluarën, ministër ma të dobët të kësaj ministrie asnjëherë nuk ka pasur”, tha ai për Front Online.