Lajme

Ish-ministri i punëve të brendshme: Deklarata e Kurtit e Sveçlës po shkakton panik, largon edhe investitorët e huaj

12/25/2023 18:26
nga:G C

Ish-ministri i punëve të brendshme në Kosovë, Ekrem Mustafa thotë se kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla duhet të mos hapin panik në opinion, por të bashkëpunojnë me AKI-në.

Mustafa këtë deklaratë e dha për GazetaBlic, pasi kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla paralajmëruan se Radojçiqi po përgatit sulm të ri në veri të Kosovës.

“Deklarata e kryeministrit dhe ministrit Sveçla nuk janë deklarata që duhet dhënë krerët e shtetit, ata duhet të bashkëpunojnë me AKI-në dhe të marrin masa parandaluese brenda territorit të Kosovës, në veri dhe në jug”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës, shteti i Kosovës nuk duhet të paralajmëroj kriminelët se janë në përcjellje.

“Ajo çka është e rëndësishmë që shteti nuk duhet të paralajmërojë kriminelët se janë duke i përcjellë, por me masa të fshehta brenda Kosovës të neutralizojë çfarëdo dyshimi apo iniciative të personave të krimit dhe terroristëve të çfarëdo nacionaliteti, me ligje t’i dënojë dhe mos t’i lirojë pas 4 apo 5 dite”, tha Mustafa.

Mustafa shton se kryeministri Kurti duhet të rritë bashkëpunimin me shtetet fqinje.

“Policia e Kosova është mirë e përgatitur dhe nuk kam dyshime se nuk do të ia del me vepru me sukses brenda territorit tonë. Kryeministri duhet të ketë një qasje të politikave ndërshtetërore. Ai duhet të rrit nivelin e agjencioneve të inteligjencës dhe bashkëpunimin me shtetet fqinje që na përkrahin”, tha Mustafa.

“Kryeministri Kurti duhet të rrit pragin e gatitshmërisë dhe të pajisë Policinë më automjete të blinduara e municion të armëve”, shtoi ai.

Sipas tij, deklaratat e tilla nga shteti ndikojnë negativisht tek qytetarët, por edhe tek investitorët e huaj.

“Deklarata të tilla jo që krijojnë panik tek qytetarët, por edhe te investitorët e huaj dhe vendor, të cilët kanë filluar investime strategjike apo janë duke u përgatitur. Kjo iu jep një momentum pasigurie”, tha Mustafa.

“Opozita serbe po kërkon që Aleksandër Vuçiq të dërgohet tek neuropsikiatri”

Haliti: S’besoj që Serbia ushtarakisht po përgatitet të sulmojë Kosovën