Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se kryeministri Edi Rama e ngriti çështjen e UÇK-së në fjalimin e tij në “Bordin e Paqes” për t’u ngritur vetë te ndërkombëtarët.
“Nisma në vetvete ka shumë çështje të paqarta, me mënyrën si krijohen organizatat ndërkombëtare, por ne me Kosovën duhet të marrim pjesë dhe kjo nuk ka diskutim. Ne nuk humbim apo rrezikojmë, mbajmë gjallë një partneritet jetik për ne”, tha fillimisht Bumçi.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama bëri shumë mirë që ngriti edhe çështjen e ish-liderëve të UÇK-së, “por pyetja është çfarë efekti ka?”.
“A është mënyra e duhur se si u ngrit dhe a duhet të ketë një punë parapërgatitore që bëhet edhe në nivele të tjera? Kjo punë nuk bëhet publikisht sepse mund të krijojë problem. Duke parë se si zoti Rama i ka trajtuar këto çështje, kemi parë që në raste të tjera nuk e ka ndihmuar zotin Thaçi. Shumë mirë që e ngriti si çështje, por nëse nuk e ka ngritur me Departamentin e Shtetit, kjo nuk do të ketë efekt, siç nuk pati në Këshillin e Europës. E përdor ti për t’u ngritur, por jo se i shërben zotit Thaçi, Kosovës dhe kauzës”, shpjegoi Bumçi.
/A2 /


