Buxheti në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh u votua nga 61 deputetë të mazhorancës në Kuvendin e Kosovës, në fund të muajit nëntor.
Në votimin e buxhetit për vitin 2025 nuk morën pjesë partitë opozitare, derisa këtë buxhet e quajtën buxhet për mbijetesë.
Ndërsa, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ky buxhet që është 9 për qind më i lartë se ai i vitit të kaluar, do të sigurojë stabilitet ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.
Por, kritika për buxhetin janë bërë për shumën e lartë për subvencione e shumën e ulët të ndarë për investime kapitale.
Buxheti ka marrë kritika dhe nga ish ministra të financave, profesorë e gazetarë të ekonomisë, të cilët e kanë vlerësuar atë si jozhvillimor, e as historik siç po cilësohet nga Qeveria.
Ish ministri i financave, Haki Shatri, për dokumentarin Expose, ka thënë se nuk është për t’u lëvduar buxheti, pasi është rritje me inflacion, derisa nuk e sheh aspak buxhet zhvillimor.
“Çdo vit prej që ka Kosova buxhet, ai është çdo vit më i madh, por kjo nuk është deklarata e kryeministrit, sepse buxheti nuk është më i madh se viteve të kaluara, nominalisht po por me inflacion, prandaj çdo vit edhe të hyrat edhe shpenzimet janë të kalkuluara me inflacion siç janë me rritje të çmimeve, prandaj nuk është buxhet historik siç po e quajnë, unë do të thosha që nuk është as buxhet zhvillimor, dhe është buxhet që në njëfarë forme ka rrjedhur si me inercion, është rritur aq sa është rritur inflacioni, që ta shpjegoj më thjeshtë, çdo rritje e çmimeve rrit edhe të hyrat buxhetore sepse edhe pa u rritur norma e tatimit, kur rritet çmimi në përqindjen e njëjtë të tatimit, rriten të hyrat buxhetore, se është shuma më e madhe e parave që merret nga konsumatori dhe shkon në buxhet dhe kjo ndodhë vetvetiu, nuk është për t’u lëvduar. Unë mendoj se nuk është buxhet zhvillimor sepse nuk është rritje, është buxhet stagnues. Të hyrat 3.3 miliardë që janë paraparë këtu, nuk e kanë paraparë asnjë mundësi të të hyrave që mund të ishin nga luftimi i informalitetit, nga luftimi i krimit ekonomik të organizuar, nga luftimi i korrupsionit dhe dukurive të tjera negative. Thjesht janë kalkuluar të hyrat që mund të vijnë nga rritja e çmimeve dhe normat ekzistuese të tatimeve dhe kaq”, shprehet ish ministri.
Sipas Shatrit, buxheti ka mundur të jetë 4 miliardë, teksa kritikon Qeverinë për shifrat e larta që kanë shpenzuar për luksin qeveritar.
“Mendoj që me një veprim më të organizuar, më të përkushtuar nga strukturat qeverisës, të hyrat buxhetore, të hyrat vetanake të vendit do të kishin mundur të jenë te 3.7 miliardë, në qoftë se shtohet mundësia edhe e marrjes hua publike sepse nuk e kemi borxhin e madh publik si shtet, atëherë kufijtë e shpenzimeve do të mund të shtriheshin te 4 miliardë e me këtë të rriteshin edhe fondi i investimeve kapitale, edhe i pagave edhe i pensioneve dhe transferove. Këtë vit rritje kanë pësuar dhe në krejt mandatin rritje maksimale ka pësuar kategoria mallra dhe shërbime, kategori të cilën kjo qeveri më herët e ka quajtur luksi qeveritar. Këta në rritjen mesatare të buxhetit në shifra nominal prej 60 për qind, kjo rritje e luksit qeveritar ka shkuar në 80 për qind”, vlerëson ai.
E, investimet kapitale janë ndër çështjet kryesore për të cilat po kritikohet buxheti e Qeveria Kurti, për shkak të mos realizimit të tyre.
Ish ministri Haki Shatri thotë se me dështimin e realizimit të investimeve kapitale është bërë vetëm bartja e projekteve por mjetet e ndara për ato projekte kanë humbur.
“Buxheti është një trend normal, si njëfarë inercioni është rritur ky fond në 900 milionë por nuk po ndodhë që këto investime të realizohen. Si shuma ndahen por gjatë vitit dështojnë dhe projektet dështojnë, ato barten për vitin e ardhshëm por shuma nuk bartet, humb diku sepse gjatë vitit ajo orientohet në destinime tjera dhe pastaj viti i ri del një buxhet për investime kapitale, pa atë shtesën e dështimeve të viteve paraprake. Përndryshe, 1.1 milionë investime kapitale në këto katër vite që kanë dështuar të realizohen janë zhdukur, nuk janë në buxhetin e ri”, potencon ai.
Shatri tregon se nga viti i kaluar janë shtuar 70 milionë euro për investime kapitale, që thotë se janë përkeqësim i strukturës buxhetore.
“Janë shtuar më pak se 80 milionë në vitin 2025, në krahasim me vitin 2024 por nuk është një rritje esenciale. Shpenzimet kapitale prej 860 milionë janë rritur në 930 milionë që i bjen 70 milionë janë më tepër, por këto janë përkeqësim i strukturës buxhetore”, deklaron Haki Shatri./Gazeta Blic/