Ish-ministri i Energjetikës dhe Minierave, Et’hem Çeku, ka folur rreth situatës së krijuar së fundi në vendin tonë lidhur me energjeninë elektrike, respektivisht mungesën e saj.
Në një prononcim për GazetaBlic, Çeku tha se në vargun e problemeve të shumta që i kemi momentalisht, na është shtuar edhe ai i energjisë, për të cilën fatkeqësisht nuk është punuar tash edhe pas 20 vitesh, përcjell GazetaBlic.
Tutje, ish-ministri shtoi se në të kaluarën si shtet kemi dështuar shumë, sepse pikërisht kur gëzonim oferta të shumta nga vendet e zhvilluara evropiane për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë çështjen e Energjetikës, pësonim ndryshime të shumta politike, çka pastaj reflektonin negativisht tek investitorët.
“Realisht është një situatë e vështirë për qytetarët e Kosovës në këtë kohë në mungesë të energjisë, në këtë kohë kur shumica e familjeve tona e përdorim rrymën për ngrohje, prandaj një mungesë e tillë shkakton pakënaqësi brenda familjeve tona. Në këtë situatë kur kemi edhe shumë probleme tjera, kur ia shtojmë mungesën e energjisë, sikur qytetari ynë goditet prapë në njëfarë forme apo formën tjetër. Çka është e papranueshme është se edhe pas 20 vitesh nuk arritëm të pranojmë kapacitete të reja gjeneruese. Duke filluar me projektin Kosova C. Kishim kompani të shumta nga vende të ndryshme evropiane si Gjermania, Franca apo Çekia, por ndryshimet e shumta politike ndikuan që të mbesim pa investime në lignit”, tha fillimisht ai.
Ndërkaq, Çeku, duke u bazuar edhe në përvojën e tij, shtoi se hapi i parë që duhet ta bëjë Kosova është të drejtohet me kërkesë tek Shqipëria, e cila për shkak të të reshurave, posedon mundësi më të mëdha për t’i tejkaluar kriza si këto.
Sipas Çekut, mbështetja ndaj investitorëve duke menduar për të ardhmen dhe partineriteti publiko-privat për investim në energji, janë çështjet për të cilat duhet menduar seriozisht.
“Për momentin, shteti ynë duhet të orientohet poshtë kufirit, pra tek Shqipëria. Të kërkojë ndihmën e qeverisë shqiptare. Fatmirësisht shteti shqiptar në fushën e energjisë e ka një problem shumë të relativizuar, pra lehtë të menaxhueshëm. Kjo pasi ka të reshura të shumta, në sasi të shumta, pra e ka të zhvilluar sistemin hidro dhe nuk e ka shumë problem. Pra, po të isha përgjegjës, hapi i parë të cilin do ta bëja është shkëmbimi i energjisë me Shqipërinë. Hapi i dytë është mbështetja për investitorët e jashtëm në energji alternative. Kurse hapi i tretë është që të krijohet një partneritet publiko-privat për investime të ardhshme në sektorin e energjisë”, vazhdoi Çeku.
Në fund fare tha se ekzekutivi dhe institucione duhet t’i kushtojnë rëndësi energjetikës, pasi kapacitetet e Kosovës në fushën e lignitit veçse dihen.
“Qeveria duhet t’i kushtojë rëndësi kësaj fushe, pasi Kosova zë vendin e tretë dhe të pestë në botë në fushën e ligniti”, përfundoi ai.
/GazetaBlic/


