Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, thotë se, në bazë të kërkesës së prokurorisë, gjykata do të vendosë nëse do ta gjobisë Kurtin apo do ta dërgojë me forcë në prokurori.
“Ligji njeh disa alternativa nëse dëshmitari nuk paraqitet. Ai mund të dënohet me gjobë deri në 250 euro. Nëse kjo masë nuk ka efekt, atëherë dëshmitari sillet me detyrim në zyrat e institucionit që e ka ftuar. Ligji i parasheh këto alternativa dhe besoj se gjykata, varësisht nga kërkesa e prokurorit, do të aplikojë njërën prej tyre,” ka deklaruar Fejzullah Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Supreme, raporton RTVD.
Hasani shton se Kurti do të duhej të shkonte vullnetarisht për të ofruar dëshminë e tij, meqë kështu e parasheh ligji.
“Unë besoj se ai do të duhej ta bënte këtë, sepse çdo rrugë tjetër do të ishte e gabuar, si për vetë Kurtin, ashtu edhe për shtetin e Kosovës. Ne e dimë se jemi nën vëzhgimin e mekanizmave ndërkombëtarë dhe në rrugën drejt integrimeve,” ka theksuar ai.
Në dhjetor të vitit të kaluar, dy prokurorë nënshkruan ftesën drejtuar Kurtit për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore. Ftesa iu përsërit disa ditë më vonë, meqë në datën e parë të caktuar, 16 dhjetor, Kurti ishte jashtë shtetit.
Por as në ftesën e dytë Kurti nuk u paraqit fizikisht në Prokurorinë Speciale dhe, në vend të kësaj, u kishte ofruar prokurorëve disa data si mundësi për t’u intervistuar në objektin e Qeverisë.


