Lajme

Ish-kryetari i KQZ-së: Kosova është veçuar nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë si e suksesshme në demokracinë elektorale

01/07/2025 08:06
nga:G B

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, profesori Mazllum Baraliu teksa ka folur për fushatën parazgjedhore, ka thënë se ndër vite Kosova është cilësuar si e suksesshme sa i përket organizimit të mirëfilltë të proceseve zgjedhore.

“Kosova është veçuar dhe vlerësuar nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë si e suksesshme në demokracinë elektorale. Gjithsesi ka pasur probleme, madje problemet hera – herës kanë qenë brenda subjektit politik, duke vepruar aty ku kanë mund, veçmas ku s’ka pasur monitorim”, ka thënë ai në “Info Plus” të RTK-së.

Profesori universitar ka vlerësuar se procedurat zgjedhore sivjet duhet të jenë korrekte dhe në kohë, madje edhe më shumë se viteve të kaluara, duke pasur parasysh faktin që është hera e parë që një qeverisje e çon deri në fund mandatin dhe ka hapësirë kohore për çdo periudhë deri në zgjedhjen e qeverisjes së re.

“Deri më tani gjithçka ka qenë në kuadër të kornizave, është për t’u lëvduar fushata parazgjedhore sepse nuk ka pasur incidente. Nuk besoj që do të ketë. Mendoj që ngritja e vetëdijes politike të subjekteve tona është në nivelin e duhur, përveç në vitin 2010. Pranimi i rezultateve gjithmonë ka qenë në kohën e duhur, nuk ka pasur vonesa e kalkulime, kushtëzime”, ka shtuar Baraliu.