Lajme

Ish-kryetari i Bordit të Lotarisë së Kosovës pa avokat, shtyhet gjykimi ndaj tij për mosdeklarim të plotë të pasurisë

02/27/2023 15:25
nga:G B

Për shkak se ish-kryetari i Bordit të Lotarisë së Kosovës, Hasan Neziri, nuk kishte angazhuar mbrojtës, është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Neziri po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, nuk e ka deklaruar pasurinë e plotë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), nga 1 deri më 31 mars 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Adnan Kamberi në fillim të seancës ka njoftuar të akuzuarin se me hyrjen në fuqi të Kodit të ri të Procedurës Penale, mbrojtja në këtë çështje është e detyrueshme për shkak të dënueshmërisë.

Ndërkaq, i akuzuari Neziri ka deklaruar se nuk do të angazhojë avokat.

Lidhur me caktimin e mbrojtësit sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Neziri, gjykatësi Kamberi ka thënë se gjykata do ta njoftojë Odën e Avokatëve të Kosovës.

Meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e gjykimit, seanca u shty kurse e radhës është caktuar për 18 prill 2023.

Ndryshe, e pranishme në këtë seancë ishte prokurorja e rastit, Hava Krasniqi.

Aktakuza e ngritur në qershor të vitit 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Hasan Nezirin e ngarkon me veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, Neziri në cilësinë e zyrtarit të lartë publik ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin në formularin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), në Prishtinë, nga 1 marsi deri më 31 mars të vitit 2019, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor 2018.

Aktakuza shpjegon se i pandehuri Neziri nuk i ka deklaruar të gjitha pronat të cilat janë në emër të tij, ashtu si pronat në Komunën e Drenasit saktësisht në Drenas, Gllanasellë, Likoshan dhe në Komunën e Novobërdës.

Në aktakuzë thuhet se në formularin për deklarimin e pasurisë, ai i ka deklaruar 10 mijë m2 paluajtshmëri në Komunën e Drenasit, mirëpo sipas prokurorisë, në shkresën e pranuar në emër të tani të pandehurit Neziri, në Drenas ka paluajtshmëri me sipërfaqe prej 14 mijë e 115 m2.

Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë”, i të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndryshe, nga gushti i vitit 2022, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) e ka ndërruar emrin në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).