Ish-kryenegociatori për dialog, Skender Hyseni, ka thënë se mendon që Serbia në fund të këtij procesi ka mundësi të mos ta njohë Kosovën.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka theksuar se askush nuk është i sigurt që Serbia do ta njohë Kosovën, duke shtuar se përvoja e tregon që jo.
“Dialogun çdo qeveri, por edhe kjo, duhet ta orientojë me Washingtonin, Parisin, Berlinin dhe Romën, sepse presioni mbi palën serbe do të jetë tërësisht i huqur. A doni të ju them pse, nëse me pyetni se a jam i sigurt se në fund të një procesi se Serbia a do ta njohë Kosovën, përgjigja ime është jo”.
“Edhe nëse e kemi drojën se pas një procesi të stërzgjatur të dialogut Serbia nuk e njeh Kosovën, kjo nuk e bën hiq më pak të rëndësishme angazhimin agresiv, shumë serioz të Kosovës në dialog, insistimin dhe me këmbëngulje çdo ditë duhet t’i bëhet presion edhe Washingtonit, Parisit edhe Berlinit se ne duam dialog, duam paqe”, ka thënë Hyseni.
Ai ka shtuar se konflikti në Ukrainë e ka bërë edhe më urgjent dialogun Kosovë-Serbi.


