Ish ministrja e integrimeve, Meliza Haradinaj Stublla, ka thënë se sanksionet nuk mund të largohen pa negociata, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rrallë sanksionet hiqen pa negociata me atë shtet që i ka vendosur dhe për këtë duhet gjetur mënyrën.
Ajo ka shtuar se Kosova ka Ministre të Jashtme dhe ka diplomatë të cilëve u takon të bartin mbi supe këtë detyrë – me instruksione të qarta politike nga Prishtina.
Postimi i saj i plotë:
SANKSIONET NUK LARGOHEN PA NEGOCIATA!
Sanksionet janë ndër instrumentet më efektive të politikës së jashtme, dhe ato rrallëherë hiqen pa negociuar me shtetet që i kanë vendosur ato.
Pavarësisht se sa të padrejta duken sot sanksionet ndaj Kosovës, do të duhej të gjejmë mënyrën e negociimit me aleatët për heqjen e tyre. Jo të presim të ndryshojë Serbia, jo të lusim shtetet tjera të flasin në emrin tonë siç paska kërkuar Presidentja nga Kroacia!
Kosova ka hyrë në zonë të hirtë me aleatët (grey zone) – pa meritën e saj – por pavarësisht kësaj, nuk do të duhej të presë që sanksionet të shkrihen si fjolla bore pa asnjë përpjekje nga ana jonë për të amplifikuar të drejtën tonë, e as nuk do të duhej të plotësojmë kushte të Serbisë pa asnjë kundërkushtëzim për Serbinë – e cila suksesshëm i shkaktoi këto sanksione.
Kosova ka Ministre të Jashtme dhe ka diplomatë të cilëve u takon të bartin mbi supe këtë detyrë – me instruksione të qarta politike nga Prishtina. Në situatën që jemi sot, nuk janë të qarta as pritjet e komunitetit ndërkombëtar (të cilat ndryshojnë formë e përmbajtje çdo ditë), e as kërkesat e Kosovës për rend e ligj e drejtësi në veriun e territorit të saj.
Kosova sa më pare të rivendosë ndërveprimin me aleatët tradicionalë!


