Lajme

Ish-konsullja e Kosovës në Strasburg: Anëtarësimi i Kosovës në KE mund të zgjasë prej 1 deri në 3 vjet

05/13/2022 00:20
nga:Astrit Gashi

Ish-konsullja e Kosovës në Strasburg, Mimoza Ahmetaj, ka folur rreth aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ajo tha se një aktivitet që Kosova e ka bërë për më shumë se 10 vjet, ka kulmuar sot me aplikim e që sipas saj është lajm shumë i mirë.

Ajo tha se për katër vitet që ka qenë me mision në Strasburg, vëmendja ka qenë tek përgatitja e dosjes së Kosovës për aplikim, përgatitje kjo që sipas saj është bërë në dimensione të ndryshme.

Më tej, Ahmetaj tha se një shtet nuk mund të paramendohet që të jetë anëtar i Bashkimit Evropian, pa qenë anëtar i Këshillit të Evropës.

“Gama e veprimtarisë dhe çështjet që Kosova lidhet me KE-në është e madhe dhe nuk mund të paramendohet që një shtet të jetë anëtar i BE-së pa qenë anëtar në KE sepse diku 70 për qind i raportit të vendit që draftohet nga BE-ja, përgatitet nga të gjeturat e KE-së. Pra, kjo flet për rëndësinë që e ka KE-ja”, është shprehur Ahmetaj në Klan Kosova.

Sa i përket asaj se sa kohë mund të marr pranimi, Ahmetaj thotë se ka shtete që janë anëtarësuar nga 1 deri në 3 vjet.

“Procedura do të jetë e gjatë, dhe sa e gjatë varet shumë nga mekanzimat brenda KE-së. Ajo që dihet është se ka shtete që janë anëtarësuar për një vjet deri në ato që kanë zgjatur deri në 3 vjet e gjysmë”.

“Është një çështje që nuk dihet saktësisht por varet nga ne se sa do të jemi aktiv në lobim dhe varet shumë nga KE-ja dhe mekanizmat se sa shpejt do të jenë në gjendje që ta procesojnë dosjen e Kosovës nga një mekanizëm tek tjetri”, është shprehur Ahmetaj.

Ndërsa, e mira e këtij procesi, sipas Ahmetajt, është se nuk mund të kthehet në pikën zero.

“E mira e këtij procesi është që ky nuk mund të kthehet në pikën zero, pra shtetet anëtare nuk kanë të drejt të vetos, që është diçka që e bllokon Kosovën por procesi vazhdon tutje deri të finalizimi”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se procesi i anëtarësimit ka dy komponente në vete, atë teknike dhe politike, teksa shtoi se Kosovës mund t’i kërkohet nga shtete të caktuara që të jetë bashkëpunuese për arritjen e një marrëveshje me Serbinë.