Lajme

Ish koloneli Veseli: Qeveria po flet për luftë për qëllime elektorale, investitorët e huaj po ikin nga Kosova për shkak të frikës

05/02/2024 08:59
nga:G B

Ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, në një intervistë për Gazeta Blic e ka quajtur sharlatane ministren Donika Gërvalla, për deklaratat e saj të fundit për luftë.

“Nuk i komentoj deklaratat e saj. Ajo është shumë sharlatane”, tha ai.

Veseli thotë se s’ka frikë për luftë, pasi Kosovën e ruan NATO, FSK e Policia.

“Unë apeloj te qytetarët të mos i dëgjojnë politikanët që thërrasin vazhdimisht luftë, por ata që flasin për zhvillim ekonomik. Kosova është e mbrojtur, Kosovën e mbron ushtria e saj, policia e saj, AKI-ja, NATO-ja, kurrë Kosova ndër shekuj s’ka qenë më e sigurt se tani. A ka forcë më të fortë në rruzullin tokësor se ushtria amerikane, angleze, ata janë duke ushtruar FSK-në. Jo Kobra, por le të vjen edhe Putini në Serbi le t’i ushtrojë paramilitarët e tyre por ata që në start janë të dështuar, ata ose do të asgjësohen, ose do të arrestohen”, shprehet ish koloneli.

Derisa thotë se qeveria po i bën këto deklarata për çështje elektorale dhe qytetari do ta vlerësojë.

“Qytetari le ta vlerësojë më mirë se a është më i mirë ai që kërkon luftë për t’i mbuluar dështimet e tij apo ata që mendojnë për zhvillim ekonomik dhe paqe”, vlerëson Veseli për Gazeta Blic.

Lidhur me atë se a ndikojnë këto deklarata për luftë në ikjen e investitorëve nga vendi, ai thotë se kjo veçse ka pasur ndikim negativ, derisa shton se madje ka familje në Kosovë që kanë marrë kredi që të kenë para të gatshme në rast të nisjes së luftës.

“Kjo po ndikon shumë, kemi shumë pak investitorë të huaj në vend, kemi një largim të ndjeshëm të qytetarëve të Kosovës, sidomos moshat e reja. Sipas informacioneve që kam, shumë familje janë futur në kredi që të kenë para të gatshme, për shkak të deklaratave për luftë vazhdimisht dhe kanë marrë kredi që të kenë para për ta mbajtur familjen, këtë më së miri e di sistemi bankar i Kosovës, prandaj s’duhet të flitet. Sot ka paqe s’ka luftë, nëse na sulmojnë ne jemi këtu, qytetarët e Kosovës e mbrojnë vendin si çdoherë. Unë nuk e kuptoj se si politikanët dalin para mediave flasin për luftë dhe më pas shkojnë e hanë një drekë të mirë në restorant”, potencon ish koloneli.

Ai po ashtu shton se Kosova duhet të koordinohet me ndërkombëtarët, pasi Kosova ka miq si SHBA-të dhe duhet lëvizur politikisht.

“Kosova duhet politikisht të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë. Zoti na i ka dërguar miqtë, SHBA-të dhe të tjerët dhe duhet të lëvizim politikisht. Rasti i fundit i dështimit të referendumit është përgjigje e gjithë kësaj që ka ndodhur në 3-4 vitet e fundit. Kur të koordinohesh me miqtë, edhe një dështim si ky në veri të referendumit në bazë të apelit të Vuçiq, ne do të dilnim fitimtarë. Pra ne duhet të lëvizim politikisht, që t’i ikim të keqes, luftës. Nëse veçse ata nuk duan bashkëjetesë, është problemi i tyre”, deklaron Afrim Veseli./Gazeta Blic/