Lajme

Ish-koloneli i PK-së: Çdo shtëpi në veri është potenciale të jetë e mbushur me armatim

03/07/2024 20:37
nga:Y I

Mbi pesë muaj pas sulmit në Banjskë, ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese i KFOR-it gjeti dhe po ekzaminon edhe pesë granata “Zola” në afërsi të Manastirit të Banjskës.

Një gjë e tillë ka qenë e pritshme sipas ish-kolonelit të Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani.

Sylejmani tha se hyrja pa kontroll nëpër kufij u ka mundësuar atyre që të fusin sasi të mëdha të armëve, prandaj edhe po gjendet armatim edhe më tutje.

“Prej vitit të kaluar kam thënë se nuk është vetëm kjo sasi e armatimit, por ka ende sepse është pru në një periudhë të gjatë kohore. Kjo tregon se pa kontroll ka hyrë armatim”, tha ai.

Sylejmani tha se armatim pati nëpër pothuajse secilën shtëpi në atë zonë dhe se gjasat janë që secila të mbushet me municion.

“Ata janë përgatitur për një kohë shumë të gjatë dhe kanë përfshirë shumë grupe, jo vetëm një grup dhe të gjitha veprimet e tyre kanë qenë të mbështetura nga shteti i Serbisë e krejt kjo për shkak të jo kontrollit të duhur të kufijve në ato hapësira”, tha ai.