Lajme

Ish koloneli i FSK-së thotë se s’pritet dorëzimi i Radoiçiqit në Kosovë – këto janë arsyet

09/24/2024 22:12
nga:G B

Ish koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, thotë se s’mund të mendohet dorëzimi i Radoiçiq, pasi atë s’do ta mundësojë as presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë.

“Dorëzimi i Radojçiqit në Kosovë, as që mund të mendohet. Ndoshta dikush mund të llogarit në presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë, por e tëra kurrë s’do të mundësohet”, shprehet ai.

Veseli në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se për këtë ka shumë arsye që dorëzimi i tij nuk do të ndodhë.

“Shumë e thjeshtë si analizë. Në rastin e dorëzimit eventual, Radojçiq si profil dhe karakter nuk është person që dorëzohet për shumë arsye. Nëse Serbia do ta bënte, ai para se ta kapin organet e shtetit, gjë që ai do të kishte informacion të hershëm, ai ose do vinte prapë në Kosovë për të luftuar pra edhe me çmimin për t’u vrarë ose varianti që ai do të rrëfente në detaje për operacionin e Banjskës, dhe aty do të dilte zbuluar komplet aparati i sigurisë i shtetit serb, duke filluar nga Vuçiqi, Gjeneral Mojsilloviç dhe Vulin”, vlerëson ish ushtaraku për Gazeta Blic.

Si mundësi tjetër ai e sheh arratisjen e tij në Rusi, por thotë se ka pak gjasa të ndodhë.

“Ekziston edhe mundësia e tretë, arratisja e tij në Rusi, për të cilën mendoj se ka pak gjasa të ndodhë, për arsye se Rusia megjithatë nuk lejon të strehojë personin që ndërkombëtarisht është i shpallur person terrorist. Mundësia më e bindshme për mendimin tim, ai pas një periudhe jo fort të gjatë ose do të “aksidentohet me fatalitet” ose do të “hajë kërpudha të helmuara dhe do vdes”. Radojçiq është i përfunduar në secilin variant”, deklaron Veseli./Gazeta Blic/