Këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka akuzuar krerët e institucioneve se po rrinë symbyllur karshi rastit të kërcënimit të ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për të cilin u raportua se inteligjenca serbe pati në plan ta vriste për t’ia hedhur fajin Kosovës.
Ai tha se për herë të parë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, një shtet – Kosova, në krye me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, del kundër mbrojtjes së luftëtarëve të tyre në një proces gjyqësor.
“Serbia e kishte mbështetur madje edhe Millosheviçin, që kishte kryer gjenocid në Kosovë dhe në Bosnje.Derisa, këta frikësohen nga pafajësia e krerëve të UÇK-së! Është dita e katërt dhe asnjë fjalë për deklaratën e Dick Martyt. Lufta çlirimtare në fund do të ngadhënjejë kundër akuzave të Dick Martyt, kundër propagandës ruse/serbe, kundër Prokurorisë dhe, fatkeqësisht edhe kundër symbylljes së Kurtit/Osmanit/Gërvallës”, theksoi Behrami.


