Sporti

Ish kampioni i Kosovës në boks, Gazmend Gashi beson se dueli i Markut ndaj Prodan do jetë ndeshja e tij më e madhe

09/24/2021 20:25
nga:E K

Bokseri shqiptar, Florian Marku i njohur si “Albanian King” do të përballet me ukrainasin, Maxim Prodan të Shtunën më 25 Shtator 2021 në Stadiumin ‘Tottenham Hotspur’ në Londër për titullin ndërkombëtar IBF në peshën e mesme.

Florian Marku do të ngjitet në ring me një rekord të jashtëzakonshëm prej 8 fitoresh dhe 1 barazimi, me 6 prej fitoreve që kanë ardhur me nokaut, ndërkohë kundërshtari i tij, Maxim Prodan ka 19 meçe, 18 fitore, një barazim dhe asnjë humbje, me 15 prej fitoreve që kanë ardhur me nokaut, shkruan GazetaBlic Sport.

Para këtij dueli ka folur boksieri kosovar, Gazmend Gashi për GazetaBlic Sport.

Ai beson në fitoren e Markut duke potencuar se mbështetja e tifozëve nuk do të mungojë.

“Do te jetë një ndeshje më sfiduese dhe më e madhe deri më tani ne boksin profesional për Florian Markun, për dallim nga kundershtarët e më hershëm që i ka mposhtur, Floriani ka një bilanc fantastik me 8 fitore, 0 humbje dhe vetëm 1 barazim dhe kundërshtari i tij Maxim Prodan ka një përvojë te madhe në boksin profesional me një rekord të shkëlqyshëm 19 fitore asnjë humbje dhe një barazim, ku rezultati i tij tregon me çfarë kundërshtari cilësor do të ketë punë…”, tha fillimisht Gashi për GazetaBlic Sport.

“Marku ka guximin të ndeshet edhe me garues të rrezikshëm ka zemër dhe këtë e dëshmon fakti që ekipi i tij ka zgjedhur ta sfidoj një kundërshtar me shumë ekperiencë, në këtë meç detajet e vogla do e vendosin ndeshjen, duke pas parasysh cilësitë e dy garuesve, aspekti psiqik në ndeshjen në menaxhimin e saj para dhe gjatë ndeshjes do të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar, përparsinë e vendit e ka garuesi ynë, si çdo herë edhe në ketë ndeshje shumë simpatizantë të Florijan Markut në Angli dhe  shumë shqiptarë që jetojnë në perëndim do shkojnë t’i japin mbështetje Florian Markut”, përfundoi ai.

Ky meç pritet të startojë rreth orës 20:00 në kohën tonë lokale.

/GazetaBlic Sport/