Lajme

Ish-hulumtuesja në Tribunalin e Hagës: Specialja nuk do të duhej të ishte bërë realitet

12/14/2025 10:02
nga:Genita C

Nga viti 2000 deri në vitin 2012, punoi në ish-Tribunalin e Hagës.

Për 12 vjet, si hulumtuese brenda Zyrës së Prokurorit, pa nga afër rastet më të mëdha për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Por, themelimi i një gjykatë tjetër që merret me krime lufte në Kosovë, e habiti.

Bëhet fjalë për Nevenka Tromp, e cila në një intervistë për Tëvë1, thotë se Gjykata Speciale, nuk do duhej të ishte bërë kurrë realitet.

“Gjykata Speciale nuk do të duhej kurrë të ishte bërë realitet. Ajo u krijua nën presion të madh politik, jo për shkak të rëndësisë së pretenduar të krimeve, por si një koncesion ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar, kryesisht SHBA dhe BE, për ta mbajtur Serbinë të angazhuar në Dialogun e Brukselit. Kjo ishte pjesë e procesit më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe shtetit të ri të pavarur të Kosovës”, deklaroi Tromp.

Sipas Tromp, pavarësisht që Kosova e bëri këtë hap, pala serbe u tërhoq nga dialogu.

Ndërsa komentoi edhe dy skenarët e mundshëm në shpalljen e aktgjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Nëse Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë përfundimisht shpallen të pafajshëm, këto përpjekje mund të shihen si një humbje e madhe kohe dhe burimesh. Për të arritur te ajo që mund të ketë qenë e dukshme që në fillim: se këta individë nuk duhej të ishin akuzuar fare. Nëse, përkundrazi, do të ketë dënim në ndonjë prej rasteve, atëherë do të hapej një debat krejt tjetër: mbi ligjshmërinë, legjitimitetin dhe natyrën e luftës çlirimtare të Kosovës. Si do të shkruhet historia e shtetit të Kosovës? Si do të dokumentohet, memorializohet dhe interpretohet roli i UÇK-së? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugëtimin e saj nga një shtet de facto në një shtet plotësisht i njohur, anëtar i OKB-së?”.

Tromp dëshmitë e dëshmitarëve mbrojtës, i ka cilësuar si të nivelit të lartë.

Sipas saj, dëshmitë e tyre gjykatësit do t’i marrin parasysh në shpalljen e aktgjykimit.

“Dëshmitë e tyre ngrenë një pyetje kyçe: si mund të kishin ndërhyrë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s në mbrojtje të Kosovës, nëse UÇK do të ishte një organizatë terroriste? Dëshmitarët theksuan se UÇK ishte një lëvizje rezistence e vetë-organizuar, e ngjashme me formacionet e tjera çlirimtare si FARK-u, e cila reagoi ndaj agresionit të shtetit serb”.

Tromp ka thënë se i gjithë procesi gjyqësor, është shoqëruar me motive politike, vonesa procedurale dhe kosto të larta, duke ngritur shqetësime serioze për efikasitetin dhe drejtësinë e saj.

“Gjatë vizitës sime të fundit në Dhomat e Specializuara me studentë nga Amsterdami, na u informua se buxheti vjetor është rreth 100 milionë euro, kryesisht i paguar nga Komisioni Europian. Duke llogaritur nga themelimi i saj në 2015, kjo nënkupton se janë shpenzuar mbi 1 miliard euro për të hetuar dhe akuzuar vetëm gjashtë individë. Nëse nga këta gjashtë të akuzuar, të paktën tre përfundojnë të pafajshëm, ashtu siç është plotësisht e mundur, atëherë ky proces do të rezultojë një nga eksperimentet më të kushtueshme dhe më pak produktive gjyqësore në historinë moderne”.

Në fund, Tromp ka thënë se përveç një rasti, të gjithë akuzuarit nga ish-Tribunali i Hagës, e që ishin pjesë e UÇK-së, u liruan.

Ndërsa ky Tribunal sipas saj, UÇK-në nuk e kishte cilësuar kurrë si Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

Prandaj thotë se do të ishte shqetësuese nëse pas kaq vitesh, Dhomat e Specializuara konkludon diçka të kundërt.