Lajme

Ish-gjyqtari i Gjykatës kushtetuese tregon si duhet të zbatohet marrëveshja e Ohrit

03/22/2023 22:21
nga:Y I

Ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha se marrëveshja e Ohrit ka qenë vetëm një marrëveshje për zbatueshmërinë e të gjitha atyre marrëveshjeve që kanë qenë paraprake.

“Nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të re, por kjo ka qenë marrëveshje për zbatueshmërinë e të gjitha atyre marrëveshjeve që kanë qenë paraprake, të cilat kanë ngecur që të mos zbatohen deri më tani. Këtu nuk do të ketë ndryshime rreth Asociacionit, marrëveshja nuk ndryshon as emri as mbiemri, as fusnota, do të jetë ashtu si është se atëherë, për të ndryshu, duhet bërë diçka të re”, tha Kryeziu.

Sa i përket mos nënshkrimit të marrëveshjes, ai shpjegoi se ka marrëveshje në disa sfera të së drejtës ndërkombëtare që quhen marrëveshje garanci, të cilat nuk kanë nevojë të nënshkruhen.

“Marrëveshja është marrëveshje zotimi. Në disa sfera të së drejtës ndërkombëtare quhet edhe marrëveshje garanci, e cila nuk ka nevojë të nënshkruhet. Kjo është një marrëveshje e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve, 39 sosh, të cilat janë të nënshkruara më herët, dhe pjesa e tyre ka kaluar në Parlamentin e Kosovës, me të cilin është miratuar me 34 vota për, 3 kanë qenë kundër dhe një abstenim. Këto marrëveshje kanë hyrë në sistemin e brendshëm juridik të Kosovës dhe janë ligje dhe ligjet, Qeveria e Kosovës e ka për detyrë me i zbatu si të gjitha ligjet tjera të cilat janë aprovuar në Parlamentin e Kosovës”, shpjegoi Kryeziu.

Ai tha se përpilimi i projekt-statutit të kësaj marrëveshje do të bëhet nga profesionist të caktuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga katër kryetarët e komunave serbe.

“Projekt-statuti nuk mund të bëhet për një orë. Kjo do një profesionalizëm dhe janë mekanizmat e paraparë nga marrëveshja e Brukselit se kush duhet ta themelojë projekt-statutin e asociacionit të komunave serbe. Aty duhet me qenë profesionistë nga Qeveria dhe nga katër kryetarët e komunave serbe dhe pastaj dekretohet nga kryeministri dhe shkon përsëri në Gjykatën Kushtetuese”, tregoi Kryeziu. /atvlive.tv