Kombëtarja e Shqipërisë nesër nis rrugëtimin në Kampionatin Evropian, EURO2024, ku do të përballet me kampionin aktual të Europës, Italinë, me fillim nga ora 21:00 në BVB Stadion në Dortmund.
Shqipëria ndodhet në ‘Grupin e Vdekjes’, ku do të përballet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, por pavarësisht kësaj kombëtarja kuqezi po merr respekt të madh dhe askush nuk po e nënçmon, kjo për faktin që ekipi i drejtuar nga Sylvinho bëri kualifikuese mahnitëse dhe serioziteti e përvoja e lojtarëve është në kulm.
Ish futbollisti i mirënjohur botëror, Marek Jankulovski në një prononcim ekskluziv për mediumin tonë, GazetaBlic, thotë se grupi i Shqipërisë është mjaft i vështirë, por ekipi kuqezi mund të bëjë befasi.
“Shqipëria është në një grup të vështirë, por ju mund të surprizoni”, tha fillimisht Jankulovski për ‘GazetaBlic Sport’.
Ish futbollistit të Milanit, Napolit e Udineses, Marek Jankulovski na tregoi edhe favoritët e tij për ta fituar komplet Kampionatin Evropian, EURO2024, ku në mesin e tre të preferuarve të tij është edhe Italia e grupit tonë.
“Italia, Gjermania dhe Franca janë favorit për ta fituar Europianin”, vazhdoi ai.
Në fund, 47 vjeçari, i cili vjen nga Republika e Çekisë foli edhe për kombëtaren e vendit të tij. Ai tha se Çekia ka ekip të mirë dhe shpreson se do ta kalojnë grupin.
“Për mendimin tim, kombëtarja e Çekisë është e mirë, ka disa lojtarë të ri të mirë dhe perspektiv, andaj unë shpresojë që ta kalojmë grupin”, përfundoi ish lojtari i Milanit, Marek Jankulovski.
Kujtojmë se Marek Jankulovski ka luajtur tek Milani nga viti 2005 deri në vitin 2011, ku fitoi Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube, Superkupën e Europës dhe Serie A.
Ai poashtu u paraqit në kombëtaren e Çekisë nga viti 2000 deri në vitin 2009, ku kishte 79 parqitje, në të cilat realizoi 12 gola. Jankulovski njihet si legjendë e futbollit çek, teksa në vitin 2007 u shpall edhe lojtari çek më i mirë i vitit.
/GazetaBlic Sport