Sporti

Ish futbollisti i Manchester City: FC Copenhagen nuk duhet të nënvlerësohet, konkurrenca është shumë e fortë

02/13/2024 17:23
nga:Mergim Rreci

Sot, ditën e martë, rikthehen ndeshjen e Champions League, të fazës me eliminim direkt, pra raundi i 1/16-ave.

Pas një pushim relativisht të gjatë pas ndeshjeve të grupeve, ekipet e kualifikuara kthehen për ndeshjen me eliminim direkt.

Në mbrëmjen e sotme, duke filluar në orën 21:00, do të luhen dy ndeshje. Sfida e parë do të jetë ajo me Copenhagen dhe Manchester City, ku kampionët në fuqi të City do të tentojnë të mbyllin këtë raund që në ndeshjen e parë në transfertë, me “qytetarët” që padyshim shihen si favoritë në këtë përballje.

Ish futbollisti i kësaj skuadre, Paul Bosvelt, në një intrevistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport’ tha se skuadra nga Danimarka nuk duhet asesi të nënvlerësohet nga ‘Qytetarët’.

Bosvelt ka qenë pjesë e ‘Qytetarëve’ nga viti 2003 deri në vitin 2005, duke zhvilluar 53 paraqitje dhe duke realizuar 2 gola.

“Është një skuadër që nuk mund ta nënvlerësoni, veçanërisht në një ndeshje që luhet në shtëpinë e saj. Ata kanë mposhtur Manchester United dhe Galatasaray në shtëpi, gjë që dëshmon se ata mund të japin cilësinë që nevojitet”, tha fillimisht Bosvelt.

Tutje, ai u pyet se a mund të përsëritet suksesi i vitit të kaluar tek Manchester City dhe të fitohet përsëri Liga e Kampionëve.

Konkurrenca është shumë e fortë, por City do të jetë pretendent. Në fund duhet edhe pak fat pasi diferenca në cilësi do të jetë shumë e vogël”, përfundoi Bosvelt.

/GazetaBlic Sport/