Kombëtarja e Shqipërisë do të ballafaqohet me Çekinë të enjten.
Shqipëria dhe Çekia ballafaqohen të enjten me fillim nga ora 20:45, në kuadër të grupit E për kualifikueset e kampionatit evropian 2024, shkruan GazetaBlic Sport.
Kjo ndeshje ka interesim të jashtëzakonshëm, teksa biletat u shitën për një ditë, e stadiumi “Air Albania” pritet të jetë i stërmbushur edhe njëherë, pavarësisht se biletat ishin me çmim më të shtrenjtë se zakonisht.
Kjo ndeshje ka rezultuar me interesim të madh edhe në Çeki, me mediat dhe opinionin sportiv që ka fokusin e plotë tek ndeshja me Shqipërinë.
Ish futbollisti i Kombëtares së Çekisë dhe skuadrës së Chelsea, Jiri Jarosik është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ para kësaj përballje të ‘zjarrtë’, atje ku tha fjalë të mëdha për kuqezinjtë.
“Shqipëria i ka befasuar këndshëm të gjithë me mënyrën se si luajnë dhe mendoj se e meritojnë të udhëheqin këtë grup. Ata shënojnë gola dhe kanë një mbrojtje shumë të mirë. Luajnë si ekip, kanë lojtarë shumë të mirë dhe të fortë, poashtu mbështetje të madhe nga tifozët. Nuk e pret një sfidë aspak e lehtë Çekinë, por ata e kuptojnë se për çfarë po luajnë. Do te jetë një ndeshje e vështirë nga të gjitha anët për ne“, tha fillimisht Jarosik.

Tutje, ai u pyet edhe për lojtarin më të mirë që e ka Shqipëria, por tha se e vlerëson lojën kolektive që kjo skuadër e zhvillon.
“Vështirë për të zgjedhur një lojtar, mendoj se forca e Shqipërisë qëndron në faktin se ata luajnë si ekip“, përfundoi Jarosik për ‘GazetaBlic Sport’.
/GazetaBlic Sport/


