Lajme

Ish-diplomati e quan jotransparent takimin në Bruksel: S’po shoh arsye pse pala serbe të pajtohet aq shpejt dhe pa “marrë diçka”

04/04/2024 18:47
nga:G C

Ish-diplomati, Avni Arifi e quan krejtësisht jotransparent takimin e sotëm në Bruksel, mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Arifi në një prononcim për GazetaBlic thekson se, pas kësaj, çdo parashikim është i mundur.

“Në takime të tilla, terësisht jotransparente, çdo prognozim rezultati është i mundur”, tha Arifi.

Teksa, komenton mos pajtimin e palës serbe për çështjen e dinarit, Arifi dyshon se Qeveria e Kosovës ka ndërhyrë në çështjen e rregullores së BQK-së.

“Përndryshe, s’po shoh arsye pse pala serbe të pajtohet aq shpejt dhe pa “marrë diçka”, në këtë rast, Qeveria e Kosova s’di çka mundet të ofrojë, përveç nëse janë hy në çështje të rregullores së BQK-së”, tha Arifi për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë më 1 shkurt, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vende, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje. Por, Bashkimi Evropian tha se ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket dinarit.

“Fatkeqësisht edhe sot kemi pasur dallime të mëdha”, tha kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për gazetarë pas takimit me homologun e vet serb Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Derisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si serbët e Kosovës mund ta marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokat i Postanska banka (Kursimorës së Postës serbe) dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të licencohet ajo”, tha Bislimi.

Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë. /GazetaBlic/

Analistët komentojnë takimin e sotëm për dinarin: “Serbia ka hatërmbetje me Brukselin”

Deklarohen nga opozita- Takimet në Bruksel për ‘dinarin’ po mbahen më shumë për konsum të brendshëm politik!