Ish-diplomati Blerim Canaj ka kritikuar ashpër gjendjen aktuale në institucionet e Kosovës, duke thënë se pozitat shtetërore kanë pësuar një degradim të thellë, raporton GazetaBlic.
Sipas tij, vendet që dikur përfaqësonin integritet, dije dhe përvojë, sot dominohen nga mediokriteti dhe mungesa e standardeve, duke krijuar bindjen se “çdokush mund të bëhet gjithçka” pa meritë.
Canaj theksoi se kjo situatë përbën rrezik për vetë idenë e shtetit, ndërsa shtroi pyetjen nëse në procesin për zgjedhjen e presidentit do të ketë figura me dinjitet apo vetëm emra pa peshë.
Postimi i plotë:
Në vendin tonë, jemi futur në një epokë kur pozicionet shtetërore, të cilat dikur ishin bartëse të autoritetit moral, dijes dhe përvojës së akumuluar, sot kanë pësuar dhe po përjetojnë një degradim të thellë. Aty ku pesha matej me integritet, përgatitje akademike dhe kontribut konkret, sot dominojnë rastësia, sahanlëpirja, mediokriteti dhe mungesa e çdo standardi.
Emrat që kemi në udhëheqje por edhe emrat që tregojnë ambicie dhe nganjëherë propozohen, na bëjnë të verejmë se në Kosovë është krijuar bindja e rrezikshme se në këtë vend çdokush mund të bëhet gjithçka, pa meritë dhe pa përgjegjësi.
Sa herë që përmendet një emër me peshë, ndryshon edhe atmosfera, zërat bëhen më të ulët, reagimet më të kursyera, ndërsa disa shikime flasin më shumë se fjalët e që lë të kuptohet se jo çdo prani i lë të gjithë të qetë.
Kjo nuk është vetëm rënie e cilësisë së institucioneve, është rrënim i vetë idesë së shtetit.
Të shohim tash si do mbetet çështja e presidentit. A do vazhdohet me emra koti, apo do ketë përpjekje nga të gjitha partitë që të mos lakmohet shumë por që me të vërtetë të kemi emër të dijes, dinjitetit dhe përfaqësimit të denjë.


