Lajme

Ish-deputetja: Të arrestohet menjëherë Duda Balje, e shkeli Kushtetutën

02/28/2024 06:59
nga:Y I

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli thotë se duhet arrestuar deputetja Duda Balje, pas takimit të mbajtur me kryetarin e BIK-ut ku u trajtua projektligji për fertilizimin e asistuar.

Tërmkolli në një shkrim thotë se kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës e cila garanton karakterin laik të shtetit të Kosovës.

“Duda Balje si kryetare e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të drejtat e njeriut dhe anëtarë tjerë të komisionit paskan mbajtë dje takim me kryetarin e BIK-ut, Naim Tërnavën për të trajtuar projektligje të Kuvendit. Kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës e cila garanton karakterin laik të shtetit të Kosovës. Sot, këta deputetë do të duhej të arrestoheshin dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë! A ka shtet këtu a çka dreqin po ndodhë me këtë vend?!”, thekson ajo.

Tërnava në bashkëbisedim me Baljen, njëherit kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ka shprehur shqetësim sa i përket këtij ligji, dhe ka thënë se me këtë ligj do të cenohet e drejta e familjes tradicionale.

“Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku ndër të tjera edhe një herë u potencua shqetësimi i Myftiut Tërnava dhe i institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, rreth ecurisë së miratimit të disa projektligjeve, e në veçanti miratimi i projektligjit për fertilizimin e asistuar, i cili kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes.

Myftiu nuk la pa përmendur edhe takimin e përbashkët që kanë pasur edhe me prijësit e institucioneve të tjera fetare në vend, me të cilët edhe ka nënshkruar deklaratën e përbashkët për kundërshtimin e projektligjit që lejon martesat e së njëjtës gjini”, u tha tutje nga BIK.