Lajme

Ish deputetja Pantina: Të respektohet thirrja e SHBA-ve, në rast trazirash Kosova s’ka kapacitete, do ta kërkojë ndihmën e KFOR-it

11/02/2022 14:20
nga:G B

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ripërsëritur kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për targat prej 12 muajsh.

Kërkesa është përsëritur nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, pas djegies së një veture me targa RKS në Zubin Potok, e cila ishte në pronësi të gazetarit serb, Bojan Bozovic.

“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, shkroi në Twitter ambasadori Hovenier.

Ambasadori i SHBA-së i kërkon Kurtit ta shtyjë afatin për targat, e dënon djegien e veturës në veri

Lidhur me këtë, ish deputetja Shqipe Pantina, thotë për Gazeta Blic se Qeveria nuk është dashur ta marrë vendimin për shtyrje për 6 muaj pa u dakorduar me QUINT-in, posaçërisht SHBA-të.

“Qeveria qysh në krye të herës nuk është dashur të marrë një vendim të tillë dhe asnjë lloj vendimi që ka të bëjë me veriun e Kosovës dhe që lidhet me dialogun, pa u dakorduar fillimisht me shtetet e QUINT-it, e ne veçanti ShBA-të”, thotë ajo.

Pantina vlerëson se vendime të tilla mund ta dëmtojnë procesin e dialogut, duke shtuar se në rast të trazirave Qeveria nuk ka kapacitete por duhet ta kërkojë ndihmën e KFOR-it.

“Vendime të tilla të pa analizuara mirë për pasojat që mund të sjellin jo vetëm që e dëmtojnë procesin e dialogut dhe dobësojnë pozitën e Kosovës në këtë proces, por qeveria nuk e ka as kapacitetin për zbatimin në përpikëri të tyre, pasi e dimë se në rast të trazirave atje duhet kërkuar ndihma e KFOR-it”, potencon ish deputetja për Gazeta Blic.

Ajo shton se Kurti duhet ta ketë fokusin në arritjen e marrëveshjes finale dhe për të këtë të bashkëpunojë me SHBA-të dhe ta respektojë çdo thirrje e kërkesë të tyre.

“Qeveria dhe Kryeministri Kurti të gjithë fokusin duhet ta kenë te arritja e Marrëveshjes përfundimtare dhe të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të në këtë drejtim, andaj çdo kërkesë apo thirrje e tyre duhet respektuar”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/

Kërkesa e Hovenierit për targat, Edita Tahiri: Aleanca me SHBA-të ruhet me vepra dhe jo me fjalë boshe si Kurti

SHBA vjen edhe me një “kërkesë” për targat, reagon ashpër AAK: Albin Kurti po na prish me Amerikën