Lajme

Ish-deputeti i VV’së: Qeveria e vendosi veten në presion të panevojshëm, rrezikon të izolohet edhe më shumë

08/15/2024 11:20
nga:G C

Ish-deputeti i VV’së, Afrim Kasolli thotë se tashmë është e qartë që të gjithë ndërkombëtarët janë njëzëri për diskutime në Bruksel, rreth hapjes së urës së Ibrit.

Kasolli në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thekson se, edhe për çështje të tjera, Qeveria në fillim ka refuzuar të shkojë në Bruksel për dialog, por në fund, ka pranuar.

Një gjë e tillë, duket se do të ndodhë edhe për urën, thekson ai.

“Nëse i marrim parasysh deklaratat e zyrtarëve si të Bashkimit Evropiane, NATO-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shihet qartë se tashmë është kërkesë njëzëri e tyre që ndërrimi i statusit të urës mbi lumin Ibër që e ndan qytetin e Mitrovicës, duhet të adresohet në procesin e negociatave që zhvillohen ne Bruksel”, tha Kasolli.

“Pretendimi i Qeverisë së Kosovës është se kjo temë është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk guxon te adresohet në kryeqendrën evropiane gjatë takimeve me përfaqësuesit e shtetit serb. Mirëpo, edhe shumë tema tjera që kanë qenë ekskluzivisht kompetencë e brendshme e shtetit janë diskutuar në këtë proces negocitor, barrikadat, targat, dinari etj etj”, shtoi ai.

Tutje, Kasolli thotë se Qeveria e Kosovës e ka vendosur vetën në një presion të panevojshëm, ku thekson se, rrezikohet që të izolohemi edhe më shumë.

“Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës e ka vendosur vetën në një presion të panevojshëm në raport më gjithë këta faktorë ndërkombëtarë. Kështu, nëse nuk i merr parasysh thirrjet e tyre tash rrezikon të izolohet edhe më shumë dhe të gjendet edhe më vetmuar kur përkrahja i duhet më shumë se çdo herë tjetër”, thotë Kasolli.

Sipas Kasollit, jemi larg hapjes së urës së Ibrit dhe afër rinegocimit edhe njëherë në Bruksël për këtë çështje.

“Dhe po ashtu në këtë pozicion defansiv dhe pa koordinim as që mund të ketë shansa ta hap urën e Ibrit edhe për automjete. Në këtë kontekst, me sjelljen e saj për t’i befasuar aleatet, Qeveria e Kosovës e shtroj rrugën e ringeocimit edhe një herë të urës së Ibrit në Bruksel”, përfundon Kasolli për GazetaBlic.

“Amerikanët do t’i ndalin aventurat e Kurtit, me hapjen e urës në mënyrë të njëanshme humbim të gjithë”