Lajme

Ish-deputeti i VV’së paralajmëron: Partitë e dala pas luftës, nëse sillen njësoj si LDK-ja, nuk do të zgjasin shumë!

12/29/2025 13:15
nga:Genita C

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka komentuar procesin zgjedhor dhe rezultatin e zgjedhjeve, duke vlerësuar se ato kanë qenë të qeta dhe se verdikti i qytetarëve pasqyron drejtpërdrejt punën e partive politike me elektoratin.

Sipas tij, opozita ka dështuar ta kuptojë ndryshimin e gjeneratave të votuesve, rolin e mërgatës dhe shqetësimet kryesore të qytetarëve, të cilat sot lidhen më shumë me rreziqet e jashtme dhe raportin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës sesa me problemet e brendshme partiake.

“Zgjedhjet kanë qenë të qeta. Rezultati është një gjendje faktike se sa kanë punuar me qytetarin secila parti politike. Opozita nuk e ka kuptuar se gjenerata e re e sotme e njeh bashkësinë ndërkombëtare dhe e sheh çdo ditë mënyrën se si ajo sillet, duke e injoruar Kosovën e jo partitë politike. Përballë të huajve duhet të jemi unikë. Problemet e brendshme janë dytësore për qytetarin”.

Humolli thekson se opozita nuk e ka vlerësuar drejt faktin pse Vetëvendosje ka fituar në të gjitha komunat kufitare me Serbinë dhe shton se mërgata, e cila jeton në shtetet perëndimore, e njeh mirë realitetin ndërkombëtar dhe voton duke pasur parasysh rreziqet e jashtme për Kosovën.

“Nuk e kanë vlerësuar pse të gjitha komunat në kufi me Serbinë i ka fituar VV-ja. Mërgata jeton në shtetet perëndimore dhe ajo e njeh mirë Perëndimin. Mërgata nuk jeton me problemet e brendshme të Kosovës; ajo i sheh rreziqet e jashtme dhe vlerësimi i saj lidhet pikërisht me këtë, gjë që opozita nuk e ka vlerësuar drejt”, shtoi Humolli për GazetaBlic.

Ai kritikon veçanërisht LDK-në për, siç thotë, besim të tepruar ndaj ndërkombëtarëve dhe mungesë besimi ndaj popullit, duke paralajmëruar se partitë që nuk e kuptojnë brezin e ri të votuesve e kanë të vështirë mbijetesën politike.

“Në këtë pikë, e gjithë opozita është e njëjtë dhe nuk dallon. LDK-ja është ndërtuar me besim ndaj ndërkombëtarëve, duke mos i besuar mjaftueshëm popullit tonë. Tani, nëse nuk vlerësohet drejt fakti se shumë gjenerata votuesish janë të lindur pas luftës, atëherë është e vështirë të mbijetosh politikisht. E njëjta vlen edhe për AAK-në dhe PDK-në”, tha Humolli.

“Partitë e dala pas luftës, nëse sillen njësoj si LDK-ja, nuk do të zgjasin shumë, sepse ish-luftëtarët nuk do të ecin gjatë me inerci. Uroj që populli ynë të mos zhgënjehet nga besimi që ia ka dhënë VV-së, e cila për pesë vite është injoruar. Uroj që qeveria që do të ndërtohet të ketë marrë mësim nga dobësitë e veta gjatë qeverisjes së kaluar. Sukseset janë në të mirë të vendit, ndërsa mossukseset janë në dëm të tij. Demokracia është punë e lirë me masat”, përfundoi ai për GazetaBlic.

Bislimi: Ndjej keqardhje për disfatën elektorale të LDK-së, hera e parë që s’doli e para në asnjë komunë, nevojitet rindërtim i partisë