Lajme

Ish-deputeti i VV’së: Nëse sheh që opozita frikësohet të shkojë në zgjedhje, Kurti përsëri e propozon Osmanin për presidente

01/06/2026 18:16
nga:Genita C

Ish-deputeti i VV-së, Fatmir Humolli, ka komentuar mundësinë që kryeministri në detyrë Albin Kurti ta propozojë sërish Vjosa Osmanin për presidente.

Sipas tij, Kurti do ta propozojë Osmanin nëse opozita frikësohet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa nëse opozita ka guxim për zgjedhje të reja, ai mund të propozojë një kandidat tjetër që do të jetë i vështirë për t’u refuzuar.

“Nëse sheh që opozita frigohet të shkojë në zgjedhje të reja, Kurti do të propozojë Vjosa Osmanin. Nëse opozita ka guxim të shkojë në zgjedhje të reja, atëherë Kurti do të propozojë një figurë që do të jetë e vështirë për opozitën të refuzojë”, tha Humolli.

Humolli thekson se interesimi i Kurtit për Osmanin ka motive politike, pasi si presidente ajo nuk do të jetë aktive në politikën partiake. Nëse nuk zgjidhet, Osmanit mund t’i rriten shanset të jetë në opozitë ndaj Kurtit, për shkak të dobësisë së opozitës aktuale.

Sipas tij, situata varet më shumë nga opozita sesa nga Kurti, i cili, siç thotë Humolli, ai i kalkulon saktë veprimet dhe e ka provuar tashmë “opozitën e dobët”.

“Arsyeja që ai ka interes të propozojë Vjosa Osmanin është politike. Duke qenë presidente, Vjosa Osmani nuk do të jetë aktive në politikën partiake. Nëse nuk zgjidhet presidente, ajo do të jetë aktive në jetën politike partiake, dhe gjasat janë të mëdha që do të jetë në opozitë ndaj Kurtit, sepse aty do të ndihet më e fuqishme për shkak të dobësisë politike të opozitës aktuale. Për këtë arsye, besoj se më shumë varet nga opozita sesa nga Kurti, sepse ai i kalkulon saktë gjërat dhe e ka provuar me opozitën e dobët”, tha Humolli për GazetaBlic.

Burjani: Nuk përjashtohet mundësia që Kurti të propozojë dikë nga familja Jashari për president të vendit

“Siguroji votat nëse dëshiron të zgjidhesh” – Haliti: Mesazhi i Kurtit për zgjedhjet i drejtohet Vjosa Osmanit