Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, njëherësh ish-deputet i PDK-së, Rrustem Mustafa Remi, ka thënë për Enver Hoxhajn se nuk është një person që mund ta mobilizojë strukturën e PDK’së që të rikthehet në pushtet.
Kjo sepse, sipas Remit, ushtruesi i kryetarit të PDK-së, Enver Hxohaj, ende nuk ka krijuar shoqëri brenda PDK-së.
“Enver Hoxhaj ka qenë aktivist i mirë i PDK’së, por unë mendoj që frymën e partisë në opozitë, për të qenë më e fortë në opozitë me qëllim që të vijë tek pushteti, nuk e shoh njeri që mund ta mobilizojë strukturën e PDK’së. Disi më duket ende s’ka krijuar shoqëri brenda PDK’së”, është shprehur Remi.
Tutje, ai tha se PDK-ja nuk është parti e bashkëluftëtarëve. Për këtë ftoi të shihet kryesia e partisë.
“Shihni kryesinë e partisë, PDK’ja nuk është parti e bashkëluftëtarëve. Më së paku është e bashkëluftëtarëve. Unë më shumë kam bashkëluftëtarë në partitë e tjera”, ka thënë Remi.
“Prej kur ka dalë Hashim Thaci nga PDK’ja, nuk kam arritur ta kuptoj zhvillimin e PDK’së”, shtoi Remi në T7.