Lajme

Ish deputeti i LDK-së: Të qenit në krye të Qeverisë dallon nga opozita – Kurti do ta bëjë edhe Asociacionin, sikur pronat që ia dha manastirit

03/13/2024 20:43
nga:G B

Ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se vendimet e gjyqësorit zbatohen në vendet demokratike dhe derisa vendimi për manastirin e Deçanit është nga Kushtetuesja, s’ka rrugë tjetër pos zbatimit.

“Në secilin vend demokratik ku sundon rendi dhe ligji vendimet e gjyqësorit zbatohen. Ky është vendim i instancës më të lartë gjyqësore në Kosovë dhe këtu nuk ka si të përfundojë ndryshe, vetëm zbatim i vendimit. Se në çfarë provave dhe baze ligjore është marrë ky vendim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet ta vlerësojnë ekspertët dhe historia”, thotë ai për Gazeta Blic.

Rugova vlerëson se Kurti në opozitë ka kundërshtuar shumë vendime e procese politike dhe tani në qeveri ka shkelur gati të gjitha premtimet.

“Kurti në opozitë ka kundërshtuar shumë vendime dhe procese politike. Kjo strategji e kundërvënies duke mos zgjedhur mjet, populizmi dhe premtimet megalomane e sollën në pushtet. Tani në krye të qeverisë ka shkelur gati të gjitha premtimet dhe fjalët e dhëna para popullit”, shton ish deputeti.

Anëtari i LDK-së thotë po ashtu se Kurti do ta formojë edhe Asociacionin, duke shtuar se të qenit në krye të Qeverisë dallon nga frazeologjia dhe populizmat opozitare.

“Do ta formojë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, përkundër kundërshtimit të tij edhe me protesta e demonstrata të dhunshme. Vitin e kaluar vetë e ka nënshkruar në marrëveshjen e Brukselit, andaj s’ka rrugë tjetër vetëm se ta zbatojë në plotëni, është obligim ndërkombëtar, madje tani edhe kushtëzim në procesin integrues në BE. Të qenit në krye të qeverisë dallon shumë nga frazeologjia dhe populizmat opozitare”, deklaron Naser Rugova./Gazeta Blic/

Limaj: Kurti është rreziku kryesor për të ardhmen e vendit, do të bëjë çdo gjë për të qëndruar në pushtet

Krasniqi: Vendimi për manastirin u mor nga kundërshtuesi më i madh i saj – qytetarët të binden për kauzat e rrejshme të Kurtit

Arifi: Vendimi për manastirin e Deçanit i rëndë e zhgënjyes – Kurti dëshmoi se çdo premtim i tij ishte mashtrim