Lajme

Ish-asistentja e guvernatores së Nju Jorkut akuzohet se ka qenë agjente e qeverisë kineze

09/03/2024 18:38
nga:Y I

Një ish-zëvendës shefe e shtabit të guvernatores së Nju Jorkut, Kathy Hochul, u akuzua të martën se ka vepruar si një agjente e pazbuluar e qeverisë kineze, zbuluan prokurorët federalë në një aktakuzë të gjerë, raporton AP.

Linda Sun, e cila mbante poste të shumta në qeverinë e shtetit të Nju Jorkut përpara se të ngjitej në gradën e zëvendës-shefes së shtabit për Hochul, u arrestua të martën në mëngjes së bashku me bashkëshortin e saj, Chris Hu, në shtëpinë e tyre 3.5 milionë dollarëshe në Long Island.

Sun dhe Hu pritet të bëjnë një paraqitje fillestare në gjykatë të martën pasdite, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit të ShBA-së në Brooklyn.

Prokurorët thanë se Sun, me kërkesë të zyrtarëve kinezë, bllokoi përfaqësuesit e qeverisë tajvaneze nga qasja te zyrtarët e nivelit të lartë në shtetin e Nju Jorkut, ndryshoi mesazhet qeveritare shtetërore për çështje që lidhen me qeverinë kineze dhe u përpoq të lehtësonte një udhëtim në Kinë për një politikan të nivelit të lartë në Nju Jork, ndër të tjera. Hu akuzohet për komplot për pastrim parash, komplot për të kryer mashtrime bankare dhe keqpërdorim të mjeteve të identifikimit.