Lajme

Ish asamblisti i LDK-së në Rahovec shpallet i pafajshëm

03/14/2022 16:20
nga:N M

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega Rahovec, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Fehmi Cenës, ish-asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec, i akuzuar për veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Ish-asamblisti Cena, akuzohej se gjatë vitit 2019, gjatë deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), nuk kishte deklaruar të ardhura në vlerë mbi 3 mijë euro.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën, nga gjyqtari Ilir Rashkaj, nuk është provuar se Cena ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Gjykatësi Rashkaj tha se nga administrimi i provave, dëgjimi i dëshmitarëve dhe mbrojtja e të akuzuarit, nuk është vërtetuar se i akuzuari Fehmi Cena, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Gjykatësi, po ashtu i njoftoi palët prezente se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Ndryshe, në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë më 18 maj 2020, Fehmi Cena, akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, respektivisht këshilltar në Asamblenë Komunale në Rahovec, në kundërshtim me Ligjin 04/L-050, ku ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë ose detyrimeve financiare nga 1 mars 2018, i njëjti ka bërë deklarim të rremë të pasurisë duke mos shënuar shumën e saktë të të hyrave të përgjithshme si mjek i përgjithshëm dhe këshilltar komunal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka paraqitur të hyra në shumën prej 8 mijë e 880 euro, ndërsa sipas të dhënave të siguruara dhe të vërtetuara nga “Ministria e Financave” më 17 shtator 2019, shuma totale e të hyrave rezulton të jetë gjithsej shuma prej pagës vjetore 11 mijë e 915 euro e 39 centë neto, ku diferenca është 3 mijë e 35 euro e 39 centë, më pak të deklaruara.

Me këto veprime, i akuzuari Cena, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragrafi 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

IPK: Zyrtarët policorë që u arrestuan sot dyshohet se u përfshinë në mbi 400 veprimtari kriminale