Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Sopi në seancën e së martës ka dëshmuar rreth stërvitjeve të rekrutëve në Zllash, si dhe ofensivat e 7 e 18 prillit 1999.
Këtë dëshmi i njëjti e ka dhënë në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës.
Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorisë, Sopi ka deklaruar se në shkollën në Zllash organizoheshin stërvitje për ushtarët.
Ai tha se këto stërvitje organizoheshin me grupe të luftëtarëve apo vullnetarëve nga njësitet që ishin formuar më parë nga fshatrat e Gollakut, e se ka ndodhur që njësitet nga fshatrat tjera organizoheshin dhe vinin për ushtrime ushtarake bazike, ato të nevojshme që do tu nevojiteshin për luftimet ndaj forcave serbe.
Edhe pse tha se nuk është shumë i sigurt, ai deklaroi se ushtrimet në fjalë kanë zgjatur tre apo katër javë, derisa t’i përvetësonin aftësitë elementare për luftim.
Në ushtrime tha se hynin ushtrimet fizike, pjesa e demonstrimit të armëve dhe forma të tjera të trajnimit për luftëra, forma strategjike gjatë operacioneve.
“Rekrutoheshin në fshatrat e tyre dhe për tu përgatitur për luftë, ata që nuk kanë kryer ushtrinë jugosllave, një pjesë e madhe kanë kry ushtrinë jugosllave dhe kanë pas njohuri bazike dhe nuk kanë pas nevojë për ushtrime shtesë. Por, e kam fjalën për rekrut të rinj që nuk kanë pas marrë pjesë dhe kanë dashur të marrin përvojën bazike për pjesëmarrje në luftë”, tha Sopi.
Ai bëri të ditur se në fshatrat e tyre rekrutët ishin të regjistruar dhe vinin grupe që i kanë dërguar komandantët e njësive të tyre, të fshatrave.
“Nuk ka pas uniforma të mjaftueshme, ka ndodh ju ka jep uniformë. Pjesa dërrmuese nuk kanë pas uniforma, kanë ardh edhe civil, por një pjesë e tyre s’kanë pas uniforma. Nuk kemi pas uniforma të mjaftueshme kurrë”, ka thënë Sopi.
Sopi bëri të ditur se zakonisht ka pasur armë të mjaftueshme për tu dhënë rekrutëve për aq kohë sa ishin të pranishëm në stërvitje.
Tutje, dëshmitari tha se ata që trajnoheshin flinin në shkollën në Zllash. Kurse, tha se stërvitja organizohej brenda dhe jashtë godinës.
“Pjesa fizike zakonisht bëhej në terrene jashtë, terrene malore. Ndërsa, pjesa teorike dhe demonstrimi i armatimit mbahej edhe brenda”, tha Sopi, duke shtuar se ka mundur të jetë në shkollë brenda, apo në oborr të shkollës.
I pyetur se kush i ofronte stërvitje rekrutëve të rinj në Zllash, Sopi u përgjigj: “Përgatitjen fizike e ka përgatitur një ushtar me emrin Musli Halimi. Ndërsa, njohjen me armë dhe pjesën teorike, Behxhet Vitija dhe Emin Borovci”.
Ai ka thënë se pas zyrtarizimit të brigadës 153, e kanë ndarë strukturën në batalione.
“Pas zyrtarizimit të brigadës, ka filluar dhe organizimi dhe emërimi i batalioneve”, ka thënë ai, duke konfirmuar se po flet që nga shkurti i vitit 1999.
Kurse, tha se si komandantë të batalioneve janë emëruar zakonisht njerëzit që kanë udhëhequr anën organizative të atyre balationeve apo njësive.
Ai bëri të ditur se brenda brigadës ka pasur në përbërje katër balatione dhe një kompani nënshtabore. Kurse, tha se nuk ka pasur ndonjë njësi të veçantë policore, por në secilin batalion kanë ekzistuar tre apo katër ushtarë që e kanë kryer detyrën e policit ushtarak.
Ndërkaq, tha se Shukri Rafuna ka qenë komandant i policisë ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, roli i policisë ushtarake brenda brigadës 153 ka qenë monitorimi i sjelljeve dhe disiplinës brenda njësiteve të UÇK-së. Ndërkaq, tha se sigurinë e ndërtesave të brigadës e kanë bërë ushtarët që kanë qenë aty dhe jo specifikisht policia ushtarake.
“Por, me ndërrime janë ndërru ushtarët e njësisë në përgjithësi”, tha Sopi.
Prokurori Cezary Mihailzcuk e ka pyetur dëshmitarin si zhvillohej komunikimi mes komandës së zonës operative të Llapit dhe brigadës 153.
“Kemi pas komunikimin me telefon satelitor, kemi pas mundësinë e komunikimit fizik duke udhëtu rreth shtabit të zonës operative të Llapit, kemi pas mundësinë e komunikimit me radiolidhje”, bëri të ditur ai.
Dëshmitari Sopi ka konfirmuar se ka qenë në kontakt me zonën operative të Llapit.
“Ka pas komunikime të dyanshme, normal”, ka thënë Sopi, i cili shtoi se personi me të cilin ka komunikuar nga kjo zonë ka qenë komandanti i zonës, Rrustem Mustafa.
Prokurori ka pyetur se a është Fatmir Humolli një nga personat me të cilin ka komunikuar po ashtu, e Sopi u përgjigj: “Është personi që më shpesh e ka vizitu regjionin tonë dhe ka qenë më shumë i lidhur me zonën operative të Llapit dhe ka qenë person që në të shumtën e rasteve ka komunikuar mes nesh dhe zonës oeprative të Llapit, varësisht prej lëvizjeve të tij”.
Tutje, Sopi bëri të ditur se nuk ka dijeni se kush ka qenë zëvendës i Salih Mustafës brenda njësitit BIA.
Kurse, shtoi se nuk i kujtohet ndonjë emër specifik, kur u pyet se a njeh persona të tjerë që ishin anëtar të njësitit BIA.
“A e njihni personin me emrin Nazif Metolli me nofkën “Tabuti”?”, ka pyetur prokurori.
“Personin Nazif Metolli, nuk e njoh fare, ndërsa si pseudonim këtë “tabuti” e kam dëgju dhe më ka bërë përshtypje si pseudonim se përndryshe nuk do të ishte ngulitur në memorien time”, ka thënë ai, duke shtuar se ka dëgjuar se ka qenë anëtar i njësitit BIA.
Kur u pyet se a ka pasur ofensivë serbe në prill të vitit 1999 në Zllash, ai konfirmoi këtë dhe se mori pjesë në këtë ofensivë.
“Në prill të vitit 1999 kemi pas dy ofansiva serbe, njëri me 7 prill, në fshatin e quajtur Prapashticë, forcat serbe kanë depërtuar në drejtim ku gjendej batalioni i Prapashticës të brigadës 153 dhe pasdite ka filluar konfrontimi me forcat serbe, ku kam qenë pjesë edhe unë dhe komandanti i brigadës, Adem Shehu. Në ato luftime unë nga shtabi i brigadës 153 kam kërkuar të caktohem komandant i operacioneve në Prapashticë, që e kam kërkuar vullnetarisht dhe mu ka lejuar nga shtabi i brigadës, ato detyra i kam mbajt deri me 18 prill 1999”, ka thënë ai.
Sipas tij, në atë kohë në fshatra të Gollakut ndodheshin me mijëra njerëz të zhvendosur nga Prishtina e nga rajone të tjera, të cilët i ka depërtuar në drejtim të Gollakut ushtria dhe policia e serbe.
“Me 18 prill kur ka fillu ofensiva e përgjithshme, kemi qenë aktivë pothuajse të gjithë ushtarët e brigadës 153. Kjo ofansivë ka zgjat katër ditë, ku në mesin e ushtarëve tonë dhe civilëve ka pas shumë humbje. Forcat serbe kanë granatu me mjetet dhe teknologjinë që kanë posedu nga të gjitha drejtimet, duke mos kursyer as civilët, as fëmijët, as gratë e pleqtë. Kanë ndodh ngjarje të tmerrshme ku familjet që kanë qëlluar në shtëpitë e tyre janë granatu dhe djeg për së gjalli”, ka thënë ai.
Në ditën e katërt tha se ka filluar tërheqja në drejtim të Prishtinës të popullatës, pasi nuk kurseheshin as gratë, as fëmijët e as pleqtë.
“Forcat serbe në momentin që kanë pësu ndonjë humbje nga forcat tona, menjëherë janë hakmerr në popullatën civile, duke masakru, duke vra fëmijë, gra e pleq që ishin të strehuar në regjionin tonë. Të gjitha ushtarët e UÇK-së kanë kriju në vijë mbrojtëse që të shpëtojnë nga masakrat e sigurta të forcave serbe”, ka thënë ai.
Sipas tij, në anën e tyre ishte morali i lartë ushtarak e në anën serbe makineri e zbrazje e të gjithë materialit ushtarak në drejtim të forcave të tyre dhe popullatës serbe.
Ai tha se nëse ushtarët serb kishin një arsye për të vdekur, ushtarët e UÇK-së kanë pasur 100 arsye të vdesin në Kosovë sepse serbët kanë udhëhequr luftë për të mbajtur Kosovën në pushtim, e forcat e Kosovës kanë luftuar për çlirimin e vendit të tyre.
Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga prokurori, mbrojtësja e viktimave, Anni Pues, ka parashtruar pyetjet e saj.
Ajo ka pyetur dëshmitarin Sopi nëse ia di nofkën Emin Borovcit, kurse dëshmitari tha se për momentin nuk i kujtohet, e më pas tha se e ka pasur nofkën “Triumfi”.
Avokati i Mustafës ka kërkuar që pyetjet t’i parashtroj në seancën e nesërme, pasi duan të konsultohen me klientin e tyre sa i përket dëshmisë së Sopit dhe disa tema të tjera.
“Kemi shumë pyetje, por duhet t’i shqyrtojmë me klientin”, ka thënë avokati Julius Von Bone.
Gjykatësja Mappie Veldt Foglia i tha avokatit se edhe sot mund t’i jap dy orë të përgatiten e më pas të vazhdojnë sesionin siç e kishin ndërmend, që të përdorin sa më shumë kohën që e kanë.
Avokati Von Bone u pajtua me propozimin e gjykatëses, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përparim Rama njofton se ka nënshkruar një vendim për çështjen e qenve endacakë


