Lajme

Ish-aleati i Vuçiqit paralajmëron kohë të rënda për presidentin serb: Mezi po e pres djersitjen e tij nga Kallas

11/14/2024 08:45
nga:Sh R

“Fitorja e Ukrainës është një prioritet për të gjithë ne. Situata në fushën e betejës është e vështirë. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë dhe për aq kohë sa duhet, me aq ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare sa të nevojitet”.

Është kjo deklaratë e Kaja Kallas shefes së re për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian për të cilën Dragan Shormaz, një ish-aleat i presidentit serb Aleksandar Vuçiq thotë se mezi pret që t’i vijë radha e Vuciqit për kritika nga BE.

“Kjo është e drejtë! Mezi pres që të fillojë të merret me Vuçiqin. Të brendshmet e tij do të jenë të djersitura”, tha Shormaz.

Dje Kallas kërkoi që Evropa të jetë kyç në mbrojtjen e Ukrainës dhe në kundërshtimin e Rusisë dhe Kinës.

Gjatë seancës dëgjimore për emërim para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 12 nëntor, Kaja Kallas, tha se “fitorja e Ukrainës është prioritet për të gjithë ne”, teksa u zotua se blloku evropian do të vazhdojë të mbështesë Kievin për aq kohë sa të ketë nevojë.

Gjatë seancës që zgjati tri orë, ajo po ashtu theksoi se Kina “duhet të ndiejë kosto më të lartë” për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë dhe tha se shpreson që Brukseli do të mund të përdorë asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse në BE, në vlerë prej pothuajse 300 miliardë eurosh, për ta ndihmuar Ukrainën.

Kjo seancë u mbajt në mes të frikës në Evropë se administrata e re e Trumpit do të kërkojë një zgjidhje të shpejtë për luftën në Ukrainë me kushte më të favorshme për Rusinë dhe mes frikës se Uashingtoni do t’i kushtojë më pak vëmendje institucioneve multilaterale sikurse është BE-ja apo edhe NATO-ja.