Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, i cili ka qenë edhe ndërmjetës në bisedimet Kosovë -Serbi në vitin 2007, vlerëson se normalizimi i raporteve mes dy vendeve është i vonuar, prandaj thotë se Lajçakut i duhet mbështetje urgjente.
Ischinger këtë vlerësim e bëri pas takimit mes Kurtit e Vuçiqit të zhvilluar dje në Berlin. Ai njëkohësisht falënderoi Kancelarin gjerman për ringjalljen e përpjekjeve për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd.
“Faleminderit Kancelar për ringjalljen e përpjekjeve për të kapërcyer ndarjen midis Beogradit dhe Prishtinës. Kanë kaluar 14 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe është i vonuar! Miroslav Lajçak ka nevojë për mbështetje urgjente!”, ka shkruar Ischinger.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan të mërkurën në mbrëmje në një darkë joformale në Berlin, për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar.
Darka pasoi takimet e ndara të të dy udhëheqësve me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në të cilat u diskutua, siç thuhet, bashkërendimi i reagimeve të mëtejshme ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë si dhe bashkëpunimin rajonal.
Thank you @Bundeskanzler for re-energizing efforts to bridge the divide between #belgrade and #pristina. It has been 14 years since the Declaration of Independence of #Kosovo. Normalizing the bilateral relationship is overdue! Miroslav Lajcak needs urgent support! @albinkurti
— Wolfgang Ischinger (@ischinger) May 5, 2022


