Lajme

Ischinger: Deklarata e Macron për parandalimin bërthamor e një rëndësie historike, SHBA të mbahet e informuar

03/06/2025 12:20
nga:Sh R

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të mërkurën propozoi zgjerimin e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate, duke e konsideruar “çmenduri” shpërfilljen e kërcënimit që tani përbën Rusia për Europën. Ai tha gjithashtu se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent.

Këtë sugjerim të Macronit po e konsideron të një rëndësie historike Wolfgang Ischinger, ish-ambasadori i Gjermanisë në SHBA, i cili tha se vendet e tjera të Europës duhet ta mirëpresin.

“Deklarata e Macron për parandalimin bërthamor është e një rëndësie historike. Gjermania dhe partnerët e BE-së duhet të mirëpresin diskutimet me Francën për rrugën përpara”.

Por, ish-kryetari i Konferencës së Mynihut  thotë se është me rëndësi që për secilin hap të informohet ‘plotësisht’ SHBA-ja.

“E rëndësishme: mbajeni SHBA-në plotësisht të informuar për çdo hap. Besimi transatlantik ka humbur tashmë më shumë se mjaftueshëm”, tha ai.

Në prag të një takimi emergjent të liderëve të Bashkimit Eyropian, që pritet të mbahet sot në Bruksel, për të diskutuar për rritjen e buxhetit ushtarak, Macron tha në një fjalim televiziv se “ombrella jonë bërthamore na mbron neve: është e plotë, sovrane dhe plotësisht franceze”.

“Megjithatë, duke iu përgjigjur thirrjes historike të kancelarit të ardhshëm gjerman [Friedrich Merz], kam vendosur ta hap debatin strategjik për mbrojtjen e aleatëve tanë në kontinentin europian përmes ombrellës sonë [bërthamore]”, shtoi ai.

Natyrisht, këtë deklaratë të Macron s’e ka mirëpritur Rusia.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se komentet e Macron për zgjerimin e mbrojtjes së arsenalit bërthamor të Francës në vendet e tjera europiane përbënin një kërcënim për Rusinë.