Isa Mustafa ish-kryeministër i Kosovës dhe udhëheqës i dialogut Kosovë – Serbi për një kohë, nuk ka asnjë këshillë për Albin Kurtin, i cili brenda ditësh do të marrë rrugën për Bruksel, njëjtë si Mustafa dikur.
Një nga temat që pritet të diskutohet në takimin e parë në mes të Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç pritet të jetë edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe ndonjë variant i tij.
“Qeverisë së VV-së që e ka kallur Kuvendin dhe Kosovën kundër Asociacionit, nuk kam çfarë i them”, ka thënë Isa Mustafa në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.
“Ajo tani merr vendime, nuk proteston”, ka vazhduar ai.
Mustafa që akuzohej se në Bruksel po e copëton Kosovën me nënshkrim të Asociacionit, thotë se ai kurrë s’ka nënshkruar ndonjëherë për themelimin e bashkisë së komunave.
“Ajo që unë kam nënshkruar është marrëveshje e parimeve, jo marrëveshje për themelim e Asociacionit, sepse unë e kam trashëguar Ligjin i cili është votuar me mbi 2/3 e deputeteve”, pohon Mustafa.
Ish-lideri i LDK-së e ka fjalën për Ligjin për themelimin e Asociacionit “që ekziston Ligj i veçantë, i miratuar në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ne vitin 2013”.
Përkundër se për qeverinë e Kurtit nuk ka ndonjë këshillë, Mustafa e ka një ide se çfarë duhet të bëhet me Asociacionin.
“Tani ose duhet ai Ligj të shpallet i pavlefshëm me 2/3 e votave të deputetëve ose duhet të implementohet”.
Pak a shumë për Mustafën ka të bëjë me vullnetin politik të pozitës.
“Nëse nuk ka vullnet te implementohet, duhet të abrogohet Ligji”, pohon ai.
Ndryshe nga Mustafa, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratiket të Kosovës, Betim Gjoshi, e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se ky i fundit i ka ndërruar qëndrimet për gjitha çështjet.
“Edhe ne nuk mund ta marrim më seriozisht deri sa të shohim diçka të shkruar prej tij, ai ka vendosur të shkojë në bisedime me Serbinë pa u përgatitur dhe pa platformë të qartë dhe gjatë javës tjetër do të takohet me Vuçiçin ende pa kërkuar falje për krimet dhe pa u zbardhur fati i të pagjeturve”, ka nënvizuar Gjoshi.
“Qëndrimi i PDK-së është i qartë, është kundër një Asociacioni që ka kompetenca ekzekutive edhe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë për Albanian Post se Asociacioni duhet të funksionalizohet, por duke u respektuar Kushtetuta.
“Asociacioni duhet të krijohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe si i tillë mund të jetë i zbatueshëm në Kosovë, prandaj asnjë variant tjetër nuk mund të jetë në zbatim”, theksoi Isufi.
Ndërkohë, këtë muaj pritet takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Por, zëdhënësi për media i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk ka treguar nëse gjatë këtij do të flitet për themelimin e Asociacionit.
“Kur bëhet fjalë për datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut, ne do ta shpallim atë kur është e përshtatshme”, ka thënë Stano me anë të një përgjigje me shkrim për Albanian Post.
Në fillim të këtij muaji, Kurti ka theksuar se takimi me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, do të mbahet nga mesi i qershorit.
“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime. Me programin tonë dhe me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do ta përfaqësojmë Kosovën”, pati thënë Kurti.
Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i është kundërpërgjigjur Kurtit, duke e porositur që “nëse Kurti mendon se nuk do të flitet për Asociacionin, atëherë nuk ka pse të vijë. Dhe nëse ata presin që unë ta bëj atë, atëherë ata as nuk kanë pse të më telefonojnë”, është shprehur ai.
Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.