Lajme

Isa Mustafa: Rritja ekonomike e ulët, nuk përmirësohet mirëqenia me 100 euro, me to mund të blihen vota

01/01/2025 13:27
nga:G C

Isa Mustafa, ka folur për zhvillimet e ekonomisë në Kosovë, për të cilën, Qeveria Kurti për katër vjet me radhë ka pasur rrëfimin e saj.

Në një intervistë, politikani dhe ekonomisti veteran që ka mbajtur edhe postin e Kryeministrit në dekadën e kaluar, u është përgjigjur edhe pyetjeve për përballjen me inflacionin, pretendimet e Qeverisë për zhvillim ekonomik në vend, Ligjin për Çmimet Tavan, shtesat 100 euro për disa kategori kosovar etj.

Mustafa thotë se rritja ekonomike aktuale, rreth 4% është e ulët dhe nuk siguron standard të nevojshëm të jetesës dhe konkurrues me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Varfëria është dy herë me e lartë se papunësia”, shton Mustafa.

Sipas Mustafës, inflacioni nuk zbutet me shtesa 100 eurosh, por me rritjen e të ardhurave në sektorin publik, si dhe zhvillimin e sektorit privat.

Tutje, Mustafa ka thënë se Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike, e jo vetëm të krahasohet me vendet e Ballkanit.

Ish-kryeministri i Kosovës kritikoi kryeministrin aktual Albin Kurtin për qasjen ndaj bizneseve të mëdha, duke thënë se këto biznese numërohen me gishta.

“Në Kosovë mund të numërohen në gishta kompanitë e mëdha private. Ato luajnë një rol të madh në punësim dhe në mbushjen e arkës së shtetit nga tatimet. Përdorimi pezhorativ i fjalës oligark për bizneset e mëdha është pasojë e mentalitetit që është në kundërshtim me ekonominë e lirë të tregut” ka thënë Mustafa për Express.