Lajme

Isa Mustafa kundër shtyerjes së zgjedhjeve, sulmin e Velës ndaj mediave e konsideron si banditesk

09/11/2021 19:55
nga:M K

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar si të gabueshëm vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. 17 tetori është përcaktuar më herët si data e zgjedhjeve komunale nga presidentja Vjosa Osmani, datë kjo e cila mund të ndryshojë falë vullnetit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mustafa në një prononcim për Express e ka cilësuar edhe si “reagim banditesk” atë të shefit të kabinetit të presidentes, Blerim Velës, karshi medieve. Vela përgjatë ditës i ka akuzuar mediet për dezinformim.

“Sot kishte një reagim banditesk nga zyra e Presidentes ndaj mediave lidhur me këtë temë. Edhe kjo dëshmonte se ajo zyrë nuk është në funksion të unitetit por në shërbim të etiketimeve në vijën e politikave militante”, ka thënë ish-shefi i LDK’së në prononcim.

Ai i ka cilësuar zgjedhjet si aktin më të lartë demokratik të një vendi, derisa ka vlerësuar se ka forma të tjera për t’u ruajtur shëndeti i qytetarëve.

“Presidentja ka të drejtë të trajtojë vlerësimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së, por gabon keq nëse i shtynë zgjedhjet. Zgjedhjet janë atributi kryesor i demokracisë, i shprehjes së besimit të popullit se kush duhet ti qeverisë. Ka mënyra që zgjedhjet të mbahen dhe të ruhet shëndeti i qytetarëve”.

Reagimi i Mustafës vjen në kohën kur Presidenca u ka bërë thirrje subjekteve politike që të mbajnë një takim konsultativ lidhur me shtyrjen e datës së zgjedhjeve komunale, nën pretekstin e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve. Takimi u ftua pak para se të merrej rekomandimi nga IKSHPK’ja për shtyrje të zgjedhjeve.

Gjatë ditës, po ashtu, pas raportimit të medieve për shtyrje zgjedhjesh, ka reaguar shefi i kabinetit të presidentes, Blerim Vela, të cilat i ka akuzuar për keqinformim.

Ndaj deklaratave të Velës ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke i cilësuar ato si sulm ndaj gazetarëve.

” AGK konsideron se kjo gjuhë është linçuese dhe që shërben për përhapjen e urrejtes dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë”, u tha në reagimin e tyre.

AGK po ashtu ka bërë thirrje ndaj presidentes Osmani që të distancohet nga kjo gjuhë dhe të mos përsëriten më sulme të tilla.