Lajme

IPK rekomandon suspendimin e tre punonjësve të Policisë, dyshohet se e keqtrajtuan një qytetar

11/14/2024 17:36
nga:Y I

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre punonjësve të Policisë të dyshuar për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Ata dyshohet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë tejkaluar autorizimet e tyre të përdorimit të forcës.

Incidenti dyshohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e datës 11 nëntor në Fushë Kosovë, me rastin e ndalimit të një qytetari.

Njoftimi i plotë:

IPK rekomandoi suspendimin e tre punonjësve të policisë
Prishtinë/Hajvali, 14 nëntor 2024

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve, bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës dhe pas veprimeve fillestare hetimore dyshohet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë tejkaluar autorizimet e tyre të përdorimit të forcës.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e datës 11.11.2024 në Fushë Kosovë me rastin e një ndalimi në trafik të një qytetari nga zyrtarët policorë.

Hetuesit e IPK-së në konsultim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt sqarimit të rrethanave të këtij incidenti.
Me respekt;

Divizioni për bashkëpunim dhe informim
Inspektorati Policor i Kosovës