Lajme

IPK rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë

10 orë më parë
nga:Sh R

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Gjakovë dhe Prishtinë, për dy raste të ndryshme.

Lidhur me rastin e parë në Gjakovë në janar të këtij viti në një aheng familjar, hetuesit e IPK-së bazuar në veprimet hetimore të ndërmarra deri tani, zyrtari policor është i dyshuar për dy vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Në rastin e dytë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor, i cili ishte me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për të dy rastet.