Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për një punonjëse të Policisë së Kosovës me dyshimin se i njëjta ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Sipas njoftimit të IPK, incidenti ku dyshohet se është përfshirë si e dyshuar zyrtarja policore raportohet se ka ndodhur sot në qytetin e Ferizajt.
“Hetuesit e IPK-së për veprimet hetimore janë konsultuar me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kurse rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.