Lajme

Investimet në panele diellore ulin importin e rrymës në Maqedoninë e Veriut

05/25/2024 15:11
nga:Sh R

Komisioni Rregullator për Energjetikë ka bërë të ditur se gjatë verës amvisëritë në Maqedoninë e Veriut do të furnizohen me rrymë më të lirë dhe gjatë ditës do të kenë plus një orë rrymë me tarifë të ulët.

Kjo vjen si rrjedhojë e prodhimit të rrymës nga investimet nga centralet diellore – panelet fotovoltaike që ka ulur dhe importin e rrymës nga jashtë.

Komisioni Rregullator për Energjetikë në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se importi i rrymës gjatë vitit të kaluar (2023), ka shënuar nivelin më të ulët, me vetëm 2.74 për qind nga konsumi i përgjithshëm për dallim nga vitet e mëparshme ka qenë rreth 30 për qind.

Nga ky institucion kanë bërë të ditur se prodhimi i rrymës nga centralet diellore përmes paneleve fotovoltaike brenda një viti është rritur për 300 për qind.

Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, tha për Radion Evropa e Lirë (REL), se po shqyrtohet mundësia që për amvisëritë brenda ditës të ketë edhe një orë shtesë të furnizimit me tarifën e lirë të energjisë elektrike.

Aktualisht, brenda ditës amvisëritë me tarifën e lirë të rrymës furnizohen nga ora 13 deri në 15, ndërkohë komisioni po shqyrton mundësinë që ky orar të zgjatet deri në orën 16, si dhe uljen e çmimit të rrymës, në përgjithësi.

“Besoj se importi i energjisë elektrike edhe gjatë vitit 2024 do të jetë shumë i ulët gjë që është në të mirë të shtetit, për faktin se energjinë elektrike arrijmë ta sigurojmë vetë dhe nuk jemi të detyruar të furnizohemi me rrymë nga jashtë vendit. Kjo me gjasë do ta ulë dhe çmimin e energjisë elektrike”, tha për REL-in Bislimovski.

Prodhuesit e rrymës nga panelet fotovoltaike thonë se është shumë e komplikuar mbledhja e dokumentacionit për të marrë leje për ndërtimin e centraleve nga burimet e ripërtërishme krahas investimeve të mëdha.

Goran M. i cili ka një central të fotovoltaikëve në rrethinën e Shkupit, thotë se i është dashur të sigurojë 40 dokumente nga institucionet e ndryshme të vendit për sigurimin e lejeve për ndërtimin e tij. Ai thotë se krahas shpenzimeve financiare, kjo i ka marrë edhe shumë kohë dhe energji.

Procedura, sipas tij, komplikohet për shkak të mungesës së kuadrit profesional për energjetikë në institucionet e vendit, po edhe për shkak të mbingarkesës:

“Investimi humb kuptimin për shkak të periudhës së gjatë kohore nga fillimi i punimeve në terren deri te prodhimi i rrymës, përkatësisht fillimi i kthimit të investimit. E gjithë kjo ndodh pasi mbledhja e dokumentacionit përkatës zgjat 2 deri në 3 vjet”, thotë ai për REL-in.

Pasi këto investime mbështeten kryesisht nga kreditë bankare, zvarritja e realizimit të projekteve që kanë të bëjnë me centralet diellore, i bën edhe më të komplikuara.
Ekspertët e energjetikës thonë se ulja e importit të rrymës nuk është dhe aq për duartrokitje pasi pjesa më e madhe investimeve në centralet diellore është kapital i huaj.

David Noshpall, magjistër teknologjisë elektronike dhe informatike, i cili ka dhe një kompani për mbarëvajtjen dhe realizimin e centraleve me panele fotovoltaike tha se përderisa pjesa më e madhe e centraleve diellore me panele fotovolatike është investim privat i kompanive të huaja dhe një pjesë e kompanive vendore dhe nuk është në pronësi të shtetit, nuk mund të llogaritet si prodhim vendor. Sipas tij, në këtë rast nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik.

“Ajo që është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, është rritja e prodhimit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtërishme me kapital vendor, duke investuar në hidrocentrale dhe centralet diellore dhe të njëjtat të kenë mundësi të skladimit (mbledhjen deponimin) të rrymës të energjisë dhe shfrytëzimin e rrymës gjatë orëve të nevojshme”, thekson Noshpall.

Kriza e energjisë, pavarësisht se ka zbehur efektet e saj në bursa, vijon të mbetet shtysa kryesore për biznesin për investimet në burime alternative.

Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë në vazhdimësi fton qytetarët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të aplikojnë për subvencionim në sisteme diellore për prodhimin e energjisë elektrike për vetëkonsum, të financuar nga Komisioni Evropian.

Por, amvisëritë dhe bizneset e vogla thonë se shumë vështirë arrihet deri te këto ndihma për shkak të procedurës së koklavitur me shumë burokraci.