Lajme

INTERVISTË / Ish zyrtari i lartë i AKI-së: Grupi Wagner qëndron prapa sulmeve në Veri

05/30/2023 14:23
nga:N M

Ish zyrtari i lartë i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani në një intervistë me shkrim për Gazeta Blic ka komentuar zhvillimet në Veriun e Kosovës në tri ditët e fundit.

Sopjani, që tash është analist i çështjeve të sigurisë, ka thënë se pas sulmeve në veriun e vendit janë qëndrojnë pjesëtarë të grupit Wganer.

Sipas tij, njësitet e speciale të policisë së Kosovës nuk duhet të tërhiqen nga ajo pjesë.

Fajtorë për krejt situatën e krijuar, Sopjani e ka bërë Serbinë dhe presidentin Aleksandër Vuçiq.

Më poshtë intervista e plotë:

Gazeta Blic:
Sopjani si e patë situatën e krijuar në tri ditët e fundit në veriun e Kosovës

Shkëlzen Sopjani: Situata e krijuar në veri nuk ka qenë befasuese, marrë parasysh se siç e kam theksuar edhe më herët, gjatë procesit zgjedhor, sfida e vërtet do të jetë pas zgjedhjeve, respektivisht në kohën kur kryetarët e zgjedhur do të fillojnë të ushtrojnë funksionet e tyre. Për më tepër, edhe zhvillimet e djeshme nuk kanë qenë befasuese, pasi që është prit që pas kthimit nga Beogradi të pjesëtarëve të strukturave të sigurisë së serisë dhe krimit të organizuar, të njëjtit sigurisht se do të ndërmarrin veprime të dhunshme me qëllim të de stabilizimit të situatës.

Gazeta Blic: Kush sipas jush është “fajtori’ për këtë gjendje atje

Shkëlzen Sopjani: Sigurisht se nga aspekti i sundimit të ligjit, fajtor kryesor janë strukturat paralele, respektivisht pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Serbisë dhe pjesëtarët e krimit të organizuar e që janë nën urdhrat e Vuçiqit, andaj kjo e bën përgjegjës vetë Vuçiqin dhe institucionet e Serbisë.

Gazeta Blic: SHBA dhe BE kanë qortuar Kosovën si kurrë më parë për këtë situatë? Çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovë

Shkëlzen Sopjani: Kanë qenë befasuese reagimet e partnerëve tanë, me theks të veçantë SHBA-të, pasi që të njëjtit i kanë përkrahur proceset zgjedhore në atë pjesë dhe pas zgjedhjeve janë deklaruar se zgjedhjet janë të ligjshme dhe se i pranojnë rezultatet. Po ashtu, edhe sipas sistemit tonë kushtetues dhe ligjor, zgjedhjet janë legjitime dhe të ligjshme, andaj unë nuk jam pajtuar me këto reagime. Po ashtu, reagimet e partnerëve kanë qenë edhe shqetësuese për mendimin tim, pasi që u shpërfaq se partnerët tanë nuk po e shohin veriun sikur po e shohim ne dhe ndoshta edhe jashtë sistemit kushtetues dhe kuadrit ligjor të Republikës së Kosovës. Kjo do të duhej të shikohej edhe nga këndvështrimi gjeopolitik, ku nga ky këndvështrim edhe mund të ketë kuptim qëndrimi për partnerët tanë, mirëpo ne nuk duhet të tërhiqemi pasi që ne jemi ata që do humbim më së shumti. Partnerët tanë duhet ta kenë të qartë se nuk do mund ta largojnë Serbinë nga kthetrat e Rusisë duke e shpërblyer, pasi që kjo qasje është dëshmuar e gabuar shumë herë në histori.

Gazeta Blic: Kush janë grupet me maska që po protestojnë e po ushtrojnë dhunë në Veri

Shkëlzen Sopjani:
Grupet me maska që po ushtrojnë dhunë në veri janë shembulli më tipik i bashkë dyzimit të strukturave të sigurisë së një shteti dhe krimit të organizuar dhe pjesë më e madhe e tyre janë pjesëtar të strukturave të sigurisë, dhe po ashtu edhe të ndërlidhur me shërbimet ruse, të cilat janë shumë prezentë dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në strukturat e sigurisë së Serbisë. Aty ka edhe anëtarë të Wagner Grupit andaj të njëjtit duhet të jenë edhe subjekte të strukturave të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit të Republikës së Kosovës.

Gazeta Blic: A duhet të tërhiqen njësitet speciale nga ajo pjesë

Shkëlzen Sopjani: Unë nuk mendoj se duhet të tërhiqen, pasi që tërheqja do të kushtonte shumë në dëm të pozicionit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh se veprimet e mëparshme në këtë pjesë edhe ashtu e kanë dëmtua reputacionin e strukturave tona të sigurisë.

Gazeta Blic: Cili është roli i AKI në këtë krejt situatë

Shkëlzen Sopjani: Roli i AKI rregullohet me Ligjin për AKI dhe ka të bëjë me mbledhjen e informacionit dhe shpërndarjen e tij tek institucionet relevante me qëllim të parandalimit dhe planifikimit sa më të mirë të veprimeve nga organet ligj zbatuese, andaj ky është një rol shumë i rëndësishëm.