Sporti

Intervistë ekskluzive| Luajti tek gjenerata e artë e Juventus, Tacchinardi: Triumfi në Ligën e Kampionëve momenti më i mirë i karrierës time

02/21/2024 11:45
nga:Mergim Rreci

Alessio Tacchinardi është njëri ndër emrat më të njohur të futbollit italian, duke shkëlqyer me karrierën e tij si futbollist profesionist.

Ish mesfushori italian njihet për karrierën e tij të bujshme, në veçanti për vitet e kaluara tek skuadra e Juventus, atje ku fitoi gjithçka që ishte për t’u fituar me ‘Zonjën e Vjetër’. Tacchinardi luajti për 13 vite tek Juventus, nga viti 1994 e deri në vitin 2007, duke qenë pjesë e një gjenerate të artë të kësaj skuadre.

Gjatë gjithë kohës së tij me klubin, ai luajti me lojtarë si Antonio Conte, Paulo Sousa, Didier Deschamps, Edgar Davids , Gianluca Zambrotta, Mauro Camoranesi, Pavel Nedved, Zidane, Gianluigi Buffon, Alessandro Del Piero, Trezeguet dhe futbollistë të tjerë shumë të njohur. Tacchinardi u shqua për shkallën e lartë të intenstitetit të punës, vendosmërinë dhe gamën e gjerë të aftësive që kishte.

Mesfushori italian fitoi Ligën e Kampionëve, 5 trofe të Serie A, 4 Superkupa të Italisë, 1 Superkupë të Evropës dhe 1 Kupë Interkontinentale.

Në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport’, Tacchinardi tregoi momentet e tij më të mira që kishte tek ‘Biankonerët’, duke veçuar triumfin në Ligën e Kampionëve.

“Ka pasur shumë momente fantastike, të mrekullueshme dhe të paharrueshme kur kam luajtur për Juventusin, por mendoj se triumfi në Champions League ishte momenti im më i mirë në karrierën time“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai tha se ndjehet krenar për kohën e kaluar tek skuadra e Juventus si dhe i lumtur që kishte fatin të luante me emra të mëdhenj të futbollit botëror.

“Ishte një përvojë e mrekullueshme të luaja për Juventusin, fitova shumë tituj, fitova Kupën Ndërkontinentale të Ligës së Kampionëve dhe shumë më shumë. Kam luajtur me bashkëlojtarë të mrekullueshëm dhe lojtarë të jashtëzakonshëm, luajta 11 vjet dhe ishte një përvojë e mrekullueshme. Jam krenar që kam veshur fanellën e Juventusit“, vazhdoi tutje Tacchinardi për ‘GazetaBlic Sport’.

Krejt në fund, Tacchinardi komentoi edhe garën për titullin e këtij edicioni në Serie A, ku tha se Interi është skuadra më e fortë dhe me meritë në vendin e parë.

Interi është ekipi më i fortë në Serie A dhe me meritë është në vendin e parë, por gara në Serie A është e gjatë dhe gjithçka mund të ndodhë përsëri, unë kam fituar dhe humbur titullin në 5 ditët e fundit të një kampionati”, përfundoi Tacchinardi.

/GazetaBlic Sport/