Lajme

Interpelanca me Albin Kurtin për dialogun strategjik me ShBA-në, në rend dite për seancën e radhës

11/27/2026 16:36
nga:Mergim Rreci

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të martën, më 1 dhjetor, në orën 13:00, për të shqyrtuar propozimin e rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në rendin e propozuar të ditës janë përfshirë 19 pika, ndër to ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, shqyrtimi i projektligjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe interpelanca me kryeministrin Albin Kurti për suspendimin e nisjes së dialogut strategjik me ShBA-në.

Deputetët pritet të votojnë projektligjet për ratifikimin e Konventës së Lubjanës-Hagës për bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimeve ndërkombëtare, si dhe dy marrëveshjet me Francën, për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Në rend dite janë edhe dy marrëveshje kredie: njëra me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për përmirësimin e kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar dhe tjetra me Bankën Evropiane të Investimeve për përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.

Një pjesë e konsiderueshme e agjendës i kushtohet reformës në drejtësi. Parashihet shqyrtimi i dytë i projektligjeve për rekrutimin, vlerësimin e performancës dhe integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe për ndryshimet në ligjet që rregullojnë Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor, përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Akademinë e Drejtësisë.

Po ashtu, në rend dite është interpelanca me kryeministrin Albin Kurti lidhur me suspendimin e dialogut strategjik Kosovë-ShBA, përgjegjësinë politike të Qeverisë dhe, siç thuhet në temën e interpelancës, cenimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe rikthimin për rishqyrtim të Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, të kthyer nga presidentja, raportin vjetor financiar të buxhetit për vitin 2025, raportin për gjendjen e mjedisit dhe atë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2025.