Milan Skriniar ka konfirmuar se dëshiron të qëndrojë në Inter përtej 2023.
27-vjeçari mori çmimin si lojtari më i mirë sllovak për të tretin vit radhazi dhe foli për mediat vendase pas ceremonisë mbrëmë. “Ne fituam titullin sezonin e kaluar dhe mund ta përsërisim veten këtë sezon”, tha mbrojtësi, cituar nga FCInternews, përcjell GazetaBlic Sport.
“Ne jemi pak prapa në tabelë, por Serie A është një ligë e ekuilibruar dhe ne do t’i rikthehemi fitoreve së shpejti. Milani dhe Napoli janë përpara nesh, por ne kemi një lojë në dorë. Ne duam titullin dhe do të bëjmë gjithçka për ta bërë atë”.
Kontrata e Skriniar në San Siro skadon në qershor 2023, por sllovaku shpreson të zgjasë qëndrimin e tij në klub.
“Kontrata ime skadon në vitin 2023, por mendoj se do të qëndroj më gjatë. Unë imagjinoj se drejtuesit e klubit janë të lumtur dhe duan të më ofrojnë një marrëveshje të re.”
Shumë yje të Interit kanë vazhduar së fundmi kontratat me kampionët e Serisë A. Alessandro Bastoni, Federico Dimarco, Nicolò Barella dhe Lautaro Martinez të gjithë kanë vendosur në letër kontratat e reja gjatë muajve të fundit.
Marcelo Brozovic do të jetë i radhës dhe sipas La Gazzetta dello Sport, Interi do të shpallë vazhdimin e tij sot. Atëherë do të jetë koha për të filluar negociatat me Skriniar. Reprezentuesi sllovak ka luajtur 204 ndeshje me Nerazzurrët që nga transferimi i tij prej 30 milionë eurosh nga Sampdoria në vitin 2017.
/GazetaBlic Sport/


